Forcat siriane ndërmarrin një sulm tokësor në Homs

Forcat siriane të sigurimit ndërmorrën një sulm nga toka dje kundër qytetit të rrethuar Homs, në përpjekje për të vënë nën kontroll distriktet që mbahen nga kryengritësit dhe që kanë qënë për një muaj radhë në shënjestër të bombardimeve të vazhdueshme.
Aktivistët thanë dje se njësitë e divizionit të katërt të blinduar të forcave elite, nën komandën e vëllait të Presidentit Bashar al-Asad, Maher, zhvilluan një betejë të ashpër me kryengritësit e Ushtrisë Çlirimtare Siriane, jashtë lagjeve Baba Amr dhe al-Inshat.
Një zyrtar sirian deklaroi se Baba Amr do të spastrohej brenda disa orësh. Por një aktivist i distriktit i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet Skype-it se kryengritësit po i mbajnë pozicionet e tyre. Departamenti amerikan i Shtetit thirri diplomatin më të lartë sirian në Uashington për t`i shprehur indinjatën ndaj ofensivës së qeverisë.
I dërguari i posaçëm, i sapo emëruar i Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes Arabe në Siri, Kofi Anan, tha dje se do të shkojë në Siri shumë shpejt për t`i kërkuar zotit Asad të hyjë në dialog me opozitën për zgjidhjen paqësore të trazirave në vend.Presidenti sirian ka ndërmarrë një goditje të rëndë ndaj kryengritjes kundër sudimint të tij autokratik 11 vjeçar. Grupet siriane të të drejtave të njeriut thanë se të paktën 15 vetë u vranë dje gjatë dhunës së lidhur me kryengritjen.