E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso-Papadhimos: Të forcojmë punën për zhvillimin

"Është koha për të forcuar punën që ne bëjmë për zhvillimin". Kjo ishte thirrja e Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Emanul Barroso, pas takimit të tij me kryeministrin grek, Lukas Papadhimos, ndërsa u shpreh i bindur se Greqia mund të menaxhojë vetë krizën e borxhit. Duke afirmuar mbështetjen për gatishmërinë e Greqisë nga ana e Komisionit Evropian, Barroso tha gjithashtu se Komisioni dëshiron të sigurohet se është bërë përparim në përdorimin e burimeve nga Fondet Strukturore, ndërsa theksoi nevojën për programet e zhvillimit, diçka që do t`i japë një shtysë të madhe punësimit dhe investimeve.

Në përgjigje të kritikave për paketën e dytë të ndihmave, presidenti i KE theksoi se programi i dytë nuk është vetëm mbështetje në lidhje me konsolidimin fiskal, por edhe për zhvillimin. Sa i përkërket rolit të Task Forcës Barroso tha se problemet e Greqisë nuk mund t`i zgjidhë një komisioner, por vetë Greqia.

Ndërkohë kryeministri Papadhimos është pajtuar me shkurtimet e tjera, së bashku me zbatimin e programit ekonomik, ndërsa foli për krijimin e fondit të garancisë dhe të fondit të projekteve të infrastrukturës përmes fondeve strukturore. Vizita e Kryeministrit grek në Bruksel vjen në një kohë ndërsa Athina zyrtare po vazhdon të thellojë reformat e kursimit, të cilat janë ndeshur me protesta gjithmonë e më të ashpra në vend. Greqia ka nevojë absolute për 130 miliardë eurot e kërkuara deri në 20 mars, kur duhet të paguajë një këst borxhi prej 14,5 miliardë eurosh. Pa kredinë madhore, vendi do të jetë i detyruar të shpallë falimentimin, lëvizje që do të shoqërohej edhe më daljen nga Eurozona.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›