Forcohen kriteret për shtetësinë italiane
Rishkruhen rregullat për tu bërë shtetas italian. Sipas vendimeve më të fundit të ndërmarra nga ekspertët e legjislacionit, rezulton se shteti italian do të forcojë rregullat mbi dhënien e nënshtetësisë për emigrantët e rritur, teksa parashikohen lehtësime vetëm për të miturit. Në paketën e re të rregullave parashikohet rritja e kohës së qëndrimit (të rregullt në këtë shtet) që emigranti duhet të ketë në momentin e bërjes së kërkesës për marrjen e shtetësisë.
Përkundrejt këtij kushti, emigrantët do të duhet të plotësojnë edhe një kriter tjetër, që nuk ka të bëjë vetëm me njohuritë mbi gjuhën por edhe me informacionet që duhet të ketë mbi kulturën dhe historinë e këtij vendi. Këto ndryshime pritet të miratohen së shpejti në parlamentin italian, ndërkohë që kanë nisur diskutimet, gjetjen e një marrëveshjeje për lehtësimin e marrjes së shtetësisë të paktën për të miturit, por për të tjerët rrezikohet të ketë vetëm shtrëngime. Sipas përcaktimeve të bëra, pohohet se emigrantëve, që kërkojnë shtetësinë italiane, do tu duhet të kenë përsëri rezidencë të rregullt prej të paktën dhjetë viteve dhe përveç kësaj, edhe të kenë ndjekur kurse të detyrueshme historie dhe kulture italiane e evropiane, edukate qytetare dhe për njohjen e Kushtetutës. Në rast të mosplotësimit të këtyre kushteve, do të rishikohet edhe refuzimi i kërkesës për marrjen e shtetësisë. Ndërsa bijtë e tyre të lindur në Itali do të mund të kërkojnë shtetësinë italiane vetëm pasi të kenë mbushur 18 vjeç (ashtu si sot), por me kusht që të kenë ndjekur me sukses të gjithë shkollën e detyrueshme. Megjithatë, përballë këtyre rregullave të reja është kërkuar të paktën për të miturit që duhet të jetë menjëherë italianë kush lind këtu, nëse njëri nga prindërit ka qëndrim të rregullt në Itali prej të paktën pesë vjetësh, dhe duhet të bëhet italian i mituri (gjithnjë i lindur në Itali), që përfundon këtu një cikël studimesh.