E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kushtetuesja kthen Veliajn në detyrë, reagon Berisha: Një “dhuratë“ e Ramës për kundërshtarin e tij

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili sot rrëzoi Dekretin Presidencial për zgjedhjet në Tiranë dhe shfuqizoi shkarkimin e Kryebashkiakut Erion Veliaj, ka ndezur menjëherë debatin politik.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi menjëherë pas lajmit, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese zbatoi ligjin, por duke e parë zhvillimin si një dështim të kryeministrit Edi Rama në përpjekjen e tij “për të hequr qafe“ kundërshtarin brenda PS.

Sali Berisha: “E shoh vendimin e gjykatës si vendim që zbatuan ligjin. Si një dhuratë që Edi Rama, i cili nuk njeh asnjë ligj e moral, i bëri pa dashje kundërshtarit të tij kryesor brenda në parti, Erion Veliajt.”

Berisha akuzoi Ramën se e kishte trajtuar Veliajn në paraburgim “si serial killer”, duke shkelur Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën dhe çdo standard. Kjo sjellje, sipas Berishës, i dha Veliajt “avantazhin e sotëm”.

Ish-Kryeministri e mbylli reagimin e tij duke etiketuar presidentin dhe kryeministrin si të mundur përballë vendimit:

“De Facto nuk ka moral. Bajram Begaj dhe Edi Rama janë të palosur, janë të dorëzuar me këtë vendim.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›