E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fordi elektrik ul çmimin, thellohet konkurenca me Teslën

Firma Ford ka thelluar luftën e çmimeve në tregun e makinave elektrike, ndërsa uli me 17% çmimin e makinës së tipit F-150 Lightning.

Gjigandi amerikan po synon të shtojë praninë në tregun e makinave elektrike të dominuar prej vitesh nga firma Tesla.  Firma Ford thotë se ulja e çmimit vjen si rezultat i përmirësimeve në fushën e prodhimit dhe rënies së kostos së lëndës së parë për prodhimin e baterive.

Por, vendimi vjen pak ditë pasi firma Tesla njoftoi se kishte prodhuar në fabrikën e saj në Austin makinën e parë për linjën e prodhimit të modelit Cybertruk, për të cilën ka vite që flitet.

Muaj më parë, Tesla filloi uljen e çmimeve të disa modeleve, duke çuar në rënien e shitjeve të makinave elektrike të kompanive të tjera. Tre muajt e fundit shitjet e makinave elektrike të Fordit ranë 2.8%, ndërsa Tesla njoftoi rritjen e shitjeve në tremujorin e dytë.

Aktualisht Fordi planifikon të trefishojë prodhimin e modelit Lightning në 150,000 automjete në vit. Çmimi i modelit të thjeshtë do të bjerë në rreth 50 mijë dollarë, ndërsa modeli më i plotë do të kushtojë rreth 92 mijë dollarë.

Gazetar: Artur Mata

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›