E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kina “tkurr kërkesën”/ Tregtia e jashtme tregohet elastike. Vëllimi tregtar gati 2.8 trilionë dollarë

Tregtia e jashtme e Kinës duket se ka arritur të përmirësohet nga përmasat dhe cilësia, pasi tregoi elasticitet të madh në gjashtë muajt e parë të vitit 2023.

Megjithëse rritja e vëllimit të mallrave është ngadalësuar në mbarë botën, subjektet e tregtisë së jashtme të Kinës janë ende duke eksploruar në mënyrë aktive kërkesat e reja në tregun global, ndërsa me 15 rrugë të reja tregtare të shtuara së fundmi nga porti i Qingdaos, tashmë Pekini numëron 214 partnerë tregtarë në mbarë botën.

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i tregëtisë së superfuqisë së Azisë i kaloi 2.79 trilionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri. Tani importet dhe eksportet e firmave private të Kinës zënë 52.7 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të vendit, 3.3 pikë përqindjeje më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa sipërmarrjet private janë bërë forca kryesore në tregtinë e jashtme.

Nga janari deri në qershor, eksporti i pajisjeve mekanike dhe elektrike zuri gati 60 për qind të vlerës së përgjithshme të eksporteve. Edhe eksportet e automjeteve elektrike, baterive të litiumit dhe qelizave diellore janë shtuar ndjeshëm, me një rritje të kombinuar prej 61.6 për qind.  Kina ka mbi 100 000 subjekte të tregtisë elektronike ndërkufitare, dhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti, eksporti i tregtisë elektronike ndërkufitare u rrit me 16 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Gazetar: Artur Mata

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›