Forma fizike dhe Mydryk janë “problemet” e Brojës sipas Poçetinos

Humbja në “Carabao Cup” përballë Midëllsborout ka qenë këmbana e radhës e alarmit për Çelsin dhe Maurisio Poçetinon. Për klubin londinez sezoni aktual është një “ferr” i vërtetë pasi nuk po arrin të ketë vazhdimësi sa i përket rrezultateve pozitive.
Trajneri argjentinas ka dhënë disa përgjigje mjaft interesante në përfundim të takimit në “Riverside Stadium” kur u pyet se si e komentonte paraqitjen e Brojës. “Mendoj se Broja nuk ndryshoi shumë gjëra me tu futur në fushë pasi thjesht nuk u kuptua me Mishën (i referohej Mykhailo Mudryk). Të dy nuk krijuan kiminë e duhur në fushë për të qenë një rrezik konstant për mbrojtjen kundërshtare”, analizoi Poçetino.
Duke parë paraqitjen e Brojës në ndeshjen e së shtunës kur shënoi një nga katër golat e Çelsit në fitoren përballë Prestonit, në takimin e vlefshëm për Kupën FA, Poçetino u pyet përse nuk aktivizoi shqiptarin që nga minuta e parë edhe përballë Midëllsborout.
“Besoj se edhe ju jeni të vetëdijshëm për faktin se nuk mund të flasim për Brojën ashtu si mund të bëjmë për një lojtar, i cili është në kushte optimale. Armando vjen pas një dëmtimi, i cili e detyroi të qëndronte jashtë fushave për një vit. Ai nuk mund të konsiderohet si një lojtar normal, nuk mund të flasim sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ne duhet ta menaxhojmë mirë rikthimin e tij në fushë. Pas tri ditësh kemi një tjetër ndeshje (Çelsi luan derbin me Fulhamin të shtunën) ku ai do të jetë titullar. Për këtë arsye nuk luajti që nga minuta e parë përballë Midëllsborout”, tha 51-vjeçari.