Forma më e mirë në karrierë

Wayne Rooney është jashtëzakonisht i kënaqur me paraqitjet e tij deri më tani gjatë këtij sezoni. Ylli anglez ka thënë se është duke kaluar në formën e tij më të mirë jetësore.
Largimi i Cristiano Ronaldos gjatë verës ishte parë si sinjal i kohëve të vështira për kampionin e Premierligës, pasi thuhej se ekipi do të ketë vështirësi të zëvendësojë golat e ish futbollistit më të mirë në botë. Mirëpo, Rooney ka marrë përgjegjësinë e shënimeve. “Jam duke luajtur më së miri në karrierë”, tha Rooney për tabloidin anglez The Sun.
“Jam duke u kënaqur me lojën time të përgjithshme sepse jam duke i ndihmuar ekipit. Shpresoj të vazhdoj kështu për pjesën e mbetur të sezonit. Nuk kam vendosur ndonjë objektiv, vetëm mundohem të shënoj sa herë që luaj. Nëse arrij, mirë. Nëse jo, shpresoj që ekipi të fitojë prapëseprapë”, u shpreh ai.
Rooney, 24 vjeç, tashmë ka barazuar kuotën e tij më të mirë të golave brenda një sezoni. Me 21 gola nga 24 paraqitje, Rooney ka katër gola më tepër të realizuara se sulmuesi i Chelseas, Didier Drogba, në garë për titullin e Këpucës së Artë të Premierligës.