E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, më e vështirë se Spanja

Zlatan Ibrahimoviç nuk e humb besimin. Ylli suedez ka shënuar vetëm një gol në nëntë ndeshjet e fundit të Barcelonës, mirëpo vazhdon të ketë besimin e trajnerit Pep Guardiola, duke shërbyer për bashkëlojtarët dhe shfaqur nivel të mirë të lojës së përgjithshme. Ai synon të vazhdojë rrugën e tij.

“Nuk jam i brengosur, më ka ndodhur edhe herëve tjera në Ajax, Juventus dhe Inter. Filloj mirë, pastaj ndalem, tani rinisem. Kam numrin 9 dhe është me rëndësi të shënoj, por kjo nuk do të thotë gjithçka për mua. Nëse jam aktiv në lojë, asistoj për një bashkëlojtar, ndihem po aq mirë”, tha Ibrahimoviç gjatë një interviste me të përditshmen katalane El Periodico.

Ylli suedez ka thënë se është më vështirë të shënohet në Serie A, pavarësisht serisë negative të tij në nëntë ndeshjet e fundit në Spanjë. Ai ishte golashënuesi më i mirë në sezonin e tij të fundit në Inter me 25 gola nga 35 ndeshje në Serie A.

“Në Itali ju ofrohen tri ose katër raste për shënim në një ndeshje dhe duhet të jeni gati të mos gaboni. Mund të shkoni 80 minuta pa e prekur topin, por e dini se në fund një rast do të vjen. Ju nuk duhet ta humbni sepse do t’ ju vlerësojnë në bazë të atij rasti. Për këtë arsye italianët mbajnë sulmuesit si Inzaghi dhe Trezeguet, që kanë rekord të lartë sepse janë të tillë që mund të shënojnë gol pas vetëm një rasti”, shtoi ai.

Ibrahimoviç ka reflektuar edhe dallimet mes Italisë dhe Spanjës. “Këtu në Barcelonë duket se jam kthyer në kohën që kisha kaluar në Ajax. Në Itali, ata nuk janë të interesuar për futboll të mirë. Atyre u mjafton një 1-0. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi përveç fitores. Dhe nëse dikush mendon të luajë futboll të mirë, ata ju thonë: “Po, ti duhet të luash mirë, por ju nuk keni fituar asgjë, a po jo ?”. Futbolli i mirë nuk ka rëndësi për ta. Nëse fitoni 1-0 në Ajax, tifozët do t’ ju vërshëllejnë. ‘Si është e mundshme kjo?’ E kam pyetur veten. Sepse njerëzit kërkojnë futboll të mirë. Ata kërkojnë spektakël”, u shpreh ai.

Ibrahimoviç bëri një krahasim mes trajnerëve, më të cilët ka punuar deri më tani, duke veçuar metodat e strategut të Barcelonës, Pep Guardiola.

“Në Itali janë munduar të imitojnë modelin e Guardiolas, por nuk është aq lehtë. Ai mendon si futbollist. Ai është shumë aktiv. Në të kaluarën kam pasur trajnerë që ishin më pasivë, njerëz që janë mësuar në komanda më tepër se në shpjegimin e gjërave. Guardiola nuk është polic i cili jep urdhra, një diktator i cili ju tregon detyrat. Ai është më tepër profesor, i cili ju mëson . Capello, Mancini dhe Mourinho nuk ishin aq aktivë. Capello dhe Mourinho ua shpjegojnë gjërat në dërrasë të zezë. Pep hyn në fushë. Ai ishte futbollist i mirë dhe e di se si mendon një futbollist. Ai jeton për futboll 24 orë në ditë”, përfundoi Ibrahimoviç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›