Formula 1, Fetel triumfon në Itali, titulli shumë pranë
MONZA-Sebastian Fetel me Red Bull mund të quhet praktikisht kampion i botës për herë të dytë radhazi në Formula 1, pas fitores në Çmimin e Madh të Italisë, në Monxa. Piloti gjerman është 112 pikë përpara vendit të dytë, të mbajtur nga piloti i Ferrarit Fernando Alonso. Me 150 pikët që janë ende në lojë, gjithçka mund të quhet e përfunduar. Në Monxa, Fetel u nis për herë të 10-të në 13 garat e deritanishme, nga pole-positioni, ç’ka tregon për dominimin total të skuderisë austriake. Shumë shpejt, Alonso arriti t’i marrë kreun, por gjermani e parakaloi shumë shpejt, në një moment që tregoi se Red Bull ka shumë diferencë me makinat e tjera. Në pistë nuk ka munguar as makina e sigurisë, pas një përplasje mes Liucit dhe Petrov, që përfshiu më pas edhe Niko Rozberg me Mercedes. Fetel gjithsesi ishte i papërmbajtshëm dhe në fund arriti të triumfonte, duke lënë pas pilotin e MekLaren Xhenson Baton dhe në vend të tretë spanjollin e Ferrarit Fernando Alonso. Ndërkohë, Ljuis Hamilton u rendit vetëm i katërti. Britaniku përfundoi jashtë piste në një moment, pas një dueli me Mikael Shumaker. Ky i fundit u rendit i pesti, duke lënë pas Felipe Masën me Ferrarin. Pas kësaj gare, Sebastian Fetel kryeson me 284 pikë, i ndjekur nga Alonso me 172 dhe Xhenson Baton e Mark Veber me nga 167.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)