E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Taçi Oil” bëhet sponsori zyrtar i klubit të Milanit

TIRANË- Për herë të parë, një kompani shqiptare do të jetë sponsore zyrtare dhe primare e një prej klubeve më të mëdhenj të botës, Milanit. Kompania e hidrokarbureve “Taçi Oil”, është bërë zyrtarisht pjesë e Milanit, nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar ditën e premte në zyrat e këtij klubi, në rrugën Turati të Milanos. Rezart Taçi dhe Adriano Galiani firmosën kontratën, nga e cila pritet që të dy palët të kenë përfitimet e tyre. Administratori i Milanit bëri të ditur se kjo marrëveshje është bekuar nga vetë presidenti Silvio Berluskoni.
“Taçi Oil është një kompani që ka si president një mik të vjetër të Milanit si Rezart Taçi, - tha Galiani. - Marrëdhëniet tona kanë nisur shumë vite më parë. Ju e mbani mend që Milani ka luajtur në Tiranë në vitin 2008 dhe 2009. Më shumë se një marrëveshje komerciale, futja e inxhinier Taçit në familjen e Milanit ka lidhje me afeksionin, pasi e gjithë familja e tij është një mbështetëse e madhe e Milanit. Kjo është një marrëveshje e bekuar edhe nga presidenti Berluskoni, që është shumë i lidhur me vendin tuaj dhe këtë e ka përsëritur gjithmonë. Inxhinier Taçi e njeh personalisht presidentin Berluskoni dhe ka një raport simpatie, miqësie dhe afrimiteti”. Për biznesmenin shqiptar Rezart Taçi, kjo është më shumë një marrëveshje zemre, sesa ekonomike. “Unë dua të falenderoj Milanin dhe mikun tim Adriano Galiani, për këtë marrëveshje të sigluar sot, - u shpreh ai. - Unë e dua Italinë dhe mendoj se Seria A është kampionati më i bukur në botë, ndërsa Milani them se është skuadra më e mirë e këtij kampionati. Për këtë arsye jam shumë i kënaqur për të marrëveshje, për të cilën mendoj se është një marrëveshje zemre më shumë se sa ekonomike, megjithëse nuk mund ta mohoj që mund të kemi edhe përfitime, pasi futbolli është produkt që konsumohet shumë në të gjithë botën. Unë zgjodha Milanin pasi tani ai është një pasion familjar. Ka nisur me babain tim dhe më është transmetuar edhe mua. Është një zgjedhje zemre, por jo vetëm kaq. Milani është markë e rëndësishme ndërkombëtare dhe shumë tërheqëse në botën e futbollit”. Ndërkohë, përveç marrëveshjes, Adriano Galiani u shpreh optimist për të tjera projekte të Milanit në Shqipëri.
“Sigurisht që do të kthehemi në Shqipëri dhe kjo kontratë forcon më shumë raportet që ishin shumë të mira edhe më parë. Tani kemi një marrëdhënie të vërtetë sponsorizimi. "Taçi Oil" bëhet një nga sponsorat të kualitetit premium, që do të thotë një nga sponsorat më të rëndësishëm pas fanelës. Ky është një treg i ri që hapet. ne kemi shumë sponsorë ndërkombëtarë, ndërsa kjo është hera e parë që një kompani shqiptare bëhet sponsor i rëndësishëm i Milanit, gjë që tregon edhe zhvillimin e një vendi si Shqipëria”, deklaroi Galiani. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndeshja e së premtes mes Milanit dhe Lacios është zhvilluar e gjitha nën siglën e Taçi Oil. Kjo kompani do të ketë të drejtë të përdorë edhe lojtarë të Milanit për imazhin e saj.

(a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›