Formula 1: Tri gara radhazi, skuadrat ankohen

Skuadrat pjesëmarrëse në Botërorin e Formula 1 ankohen për zhvillimin e 3 garave radhazi në 3 javë të njëpasnjëshme. Drejtuesit e tyre thonë se kjo gjë i çon në stërmundim stafet e tyre. Por Drejtori i Përgjithshëm i Formulës 1, Domenikali, thotë se kjo gjë ishte e pashmangshme në këtë situatë epidemie, sidomos për skuadrat, që ato të mos kishin humbje të mëdha financiare.
Por drejtuesit e këtij sporti theksojnë se kanë qenë të detyruar ta bëjnë këtë vit për shkak të situatës së krijuar nga virusi korona. Skuadrat e kanë bërë të qartë në të kaluarën se nuk u pëlqejnë 3 gara radhazi, në një kohë të shkurtër, për shkak të tendosjes së tepërt që ata i bëjnë stafit. E kalendari aktual 2021 përmban tre të tilla. Më ndëshkues duket shtrirja e garave në itinerarin Rusi-Singapor-Japoni, që duket se do të jetë një sfidë e madhe logjistike.
Drejtori i Përgjithshëm i Formulës 1, Stefano Domenikali, ka shpjeguar se nëse ky sport duhej të zhvillohej me një kalendar të plotë këtë vit, atëherë, të kesh gara të tilla në një kohë kaq të shkurtër, ishte një e keqe e domosdoshme, dhe shumë më mirë sesa të mos kesh gara fare, që do të kërcënonin të ardhurat e skuadrës. Megjithatë ai shton se kur bota do të kthehet në normalitet pas epidemisë së virusit “Covid-19”, sporti do të përpiqet të shmanget prej këtij rregulli.
“Sigurisht që është diçka delikate dhe ne duhet ta menaxhojmë atë, por nuk duhet të harrojmë se ka njerëz që kanë humbur punën e tyre, ka njerëz që vuajnë shumë, kështu që unë mendoj se është më mirë të veprojmë kështu, – ka vijuar italiani. – Në planin afatshkurtër të këtij viti, kjo ishte mënyra e vetme për të provuar ta mbajmë efektin Covid-19 sa më minimal, sepse nëse do të kishim bërë më shumë gara në fillim, rreziku do të ishte më i lartë.”
“Prandaj kjo është arsyeja pse ne e kemi kaluar në gjysmën e dytë të sezonit këtë situatë”, – ka shtuar Domenikali, i cili ka theksuar edhe një fakt tjetër, interesin për të shtuar gara të reja, përfshirë edhe kontinentin afrikan, por kjo nuk do të thotë se kalendari do të zgjerohet në numër. “Ka zona që kanë treguar interes, si në Afrikën e Veriut dhe Afrikën e Jugut, – tha ai. – Kjo është diçka që është shumë e rëndësishme, të kesh një vend të ri me një trashëgimi të shkëlqyer në F1.
“Dhe mund t’ju them se nuk duhet të harrojmë se kemi humbur disa gara evropiane që tani po tregojnë interesin për t’u shqyrtuar përsëri”, – ka përfunduar Drejtori i Përgjithshëm i Formulës 1, Stefano Domenikali.