E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1: Vetel fiton edhe në Belgjikë, Alonso bën spektakël

Kampioni në fuqi i Formula 1, Sebastian Vetel, ka fituar edhe në pistën Spa të Belgjikës, duke konsoliduar vendin e parë në renditjen e përgjithshme dhe është drejt rikonfirmimit sërish për kampion. Vetel, edhe pse nuk ka startuar i pari, ka arritur t’ia marrë vendin e parë Hamiltonin, që një ditë më parë kishte fituar “pole-position”. Por Luis Hamilton në fund të garës nuk ka arritur dot të mbajë as vendin e dytë, pasi Fernando Alonso i Ferrarit ka bërë mrekullinë. Spanolli i kokëkuqes ka startuar nga vendi i nëntë, por që në start ka fituar 4 pozicione, ndërsa vendet e tjera i ka rikuperuar një e nga një, derisa ka parakaluar edhe Hamilton të Mercedesit. 
Ritmi i Alonsos ka qenë i mrekullueshëm, por që gjithsesi pa iu afruar dot vendit të parë, duke u mjaftuar me vendin e dytë. Në vend të tretë Hamilton, pastaj në vend të katërt Rosberg, të pestin Di Resta, i gjashti Buton, i shtati Grosjean dhe vetëm vend i tetë për Raikonen. 
Renditjen e përgjithshme e kryeson Vetel me 172 pikë, i ndjekur nga Raikonen me 134 pikë, Alonso 133 dhe Hamiton me 124 pikë. Duket se më shumë garë ka për vendin e dytë dhe të tretë, pasi Vetel e ka hipotekuar vendin e parë. (E.Ilnica/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›