Formula 1, gati për testet e Barcelonës

Formula 1 ngroh motorrët, në pritje të Botërorit që nis më 18 mars, me çmimin e madh të Bahreinit. Skuderitë kanë në dispozicion testet e para sezonale të Barcelonës, aty ku në tri ditë makinat pritet të tregojnë muskujt, por njëkohësisht dhe një mundësi e mirë për pilotët për të kolauduar strategjitë e tyre. Gjithçka nis të mërkurën e 23 shkurtit, në orën 09:00, për të përfunduar rreth orës 18:00. Të njëjtat orare janë të vlefshme dhe për ditën e enjte dhe të premte.
Testet e Barcelonës që zhvillohen në cirkuitin e Montmelos, konsiderohen si jozyrtare pasi shansi i fundit për të vendosur pikat mbi i ofrohet pikërisht në Bahrein, në testet zyrtare, më 10 deri 12 mars, pikërisht në të njëjtën pistë ku një javë më pas starton Botërori i 73-të i historisë. Ky kampionat përfaqëson fundin e një epoke dhe çeljen e një epoke të re, pasi në fuqi hyjnë rregullat e reja, të cilat kanë si synim ta bëjnë më shumë spektakolare garën.
Entuziazmi për faqen e re që pritet të hapet është prezent dhe në rritje, por le të shikojmë të gjitha ndryshimet që do të përfshijnë makinat gjatë Botërorit 2022. Së pari synohet të shtohet numri i dueleve kokë më kokë mes njëvendësheve, ky aspekt është quajtur Vloser Racing, dhe synon që të ndryshohet rrënjësisht filozofia përsa i përket ndërtimit aerodinamik të makinës, në mënyrë që të evitohen shkëputjet e mëdha nga emrat kryesorë, si Mercedes apo Red Bull.
Veçanërisht në kthesa, ngarkesa e ndryshuar aerodinamike do të bëjë që tifozët të shikojnë më tepër dyluftime. Kështu pilotët si Hamilton apo Verstapen do e kenë të vështirë që me një të shkelur të gazit t’i lënë targën rivalëve më të ngadaltë. Risi e radhës është prezantimi për herë të parë i motorëve turbo-hibrid me pjesë më të standartizuara dhe me biokarburant E10, që ka si synim reduktimin e diferencave mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve.
Modifikime do të ketë dhe përsa i përket sigurisë në pistë, gomat do të jenë më të vogla, masa 18, dhe në testet e Barcelonës të gjithë janë kuriozë të shohin se si do të reagojnë makinat me gomat e reja. Gjithashtu, këto goma do të jenë më tepër të qëndrueshme, duke shmangur pit stopet e shpeshta: do të konsumohen më pak dhe do të mbinxehen më pak. Të gjitha risitë e lartëpërmendura premtojnë për emocione si kurrë më parë, natyrisht Formula 1 e shijoni live vetëm në RTSH.