E Diel, 1 Nëntor 2026

Formula “Kuzhe”: “Shqipëri sulmuese, rezultat pozitiv” Numri një i bankinës kuqezezë synon vazhdimin e serialit pozitiv të realizuar me Portugalinë, Gjeorgjinë e Qipros

Publikoje ne:

Trajneri i Kombëtares i dha “dorën e fundit mediatike” përgatitjeve anti-Danimarkë, sfida e dytë zyrtare e kroatit në stolin e Shqipërisë, pas asaj të humbur 1-2 me Portugalinë, më 6 qershor po në “Qemal Stafa”. Kuzhe beson te vazhdimësia e rezultateve pozitive, të reflektuara këto edhe në miqësoret kundër Gjeorgjisë (1-1) e Qipros (6-1), duke shprehur bindjen se “djemtë e tij” do të zbresin në fushë për një rezultat pozitiv me kryesuesen e grupit dhe të bëhen pjesë e “projektit” të tij për një “Shqipëri ndryshe”. 

“Për fat të keq jemi në fund të eliminatoreve, kur ne nuk kemi më shanse për kualifikim në Botëror, por ne kemi objektivat tona dhe për të bërë një paraqitje të mirë dhe të marrim rezultat pozitiv. Takimi kundër Danimarkës është i veçantë për futbollistët dhe tifozët. Skuadra është përgatitur seriozisht dhe është e motivuar për të marrë një rezultat pozitiv. Sigurisht, Danimarka është skuadra më e fortë e grupit dhe vjen këtu për të fituar, por ne do të bëjmë lojën tonë”, - tha trajneri Kuzhe në konferencën e tij të dytë për shtyp gjatë tëtë ditëve përgatitje për ndeshjen kundër danezëve.

“Rezultati ndaj Danimarkës nuk ka asnjë rendësi përsa i përket Shqipërisë në këtë fushatë eliminatore, por ai ka rëndësi për të ardhmen. Siç e kam thënë edhe më parë, ne kemi objektivat tona për të krijuar një skuadër me karakter sulmues. Për këtë arsye them se do të bëjmë një lojë të mirë e të marrim një rezultat pozitiv. Ky takim do të na ndihmojë për të ardhmen. Këtë ua kam ngulitur në mëndje edhe futbollistëve”, - theksoi Kuzhe, trajneri i pestë i huaj që drejton Shqipërisë që nga viti 2002, teksa më parë kanë drejtuar edhe italiani Dosena, gjermani Brigel, kroati Bariç e holandezi Han.

Numri një i bankinës kuqezezë synon vazhdimin e serialit pozitiv të realizuar me Portugalinë, Gjeorgjinë e Qipros, pavarësisht se me portugezët humbi 2-1 në minutën e fundit, por pas një paraqitje vërtet dinjitoze. Shqipëria bëri një paraqitje mbresëlënëse kundër Qipros, ku “befasoi” mediat dhe ekspertët ndërkombëtare me atë fitore tensitike, 6-1, më e thella e ndeshjeve miqësore të 12 gushtit në të gjithë zonën europiane. Të njëjtën “ide fikse” ka dhe për ndeshjen kundër danezëve.
“Sigurisht që ne do të luajmë me dy sulmues. Megjithatë mua do më pëlqente më shumë një lojë, ku mesfushorët të jenë shumë aktiv, sidomos ata që dinë të mbajnë topin dhe krijojnë raste”.

“Kërkesa ime është luajmë futboll dhe jo të mbyllemi në portën tonë. Përballë Danimarkës, ne jo vetëm do të mbrohemi, por do te mundohemi të luajmë futboll dhe të shënojmë, pasi vetëm duke shënuar mund të arrijmë rezultatet që synojmë. Një ekip sulmues është një nga pikat e projektit tim. Salihi dhe Bogdani po kalojnë një formë shumë të mirë për momentin dhe shpresojmë që me këta të dy ne të arrijmë te goli”, - përfundoi Kuzhe, i cili ka në dispozionin edhe dy sulmues të tjerë, Edmond Kapllanin e Besart Berishën. 

GOLAT
Në ndeshjen më “prodhimtare” të Shqipërisë, ajo kundër Qipros, ku u shënuan 6 gola, Kuzhe, preferoi të luante me dy sulmues të mirëfilltë, Bogdanin e Salihin, i pari shënoi një nga gjashtë golat dhe i dyti mori dy penallti e dha një asist. Në fakt, në tri ndeshjet e drejtuara nga Kuzhe, Shqipëria e ka gjetur rrugën e rrjetës: 1 gol kundër Portugalisë, në humbjen 1-2; 1 gol në barazimin 1-1 kundër Gjeorgjisë dhe 6 gola në fitoren 6-1 kundër Qipros.

TESTI
Kombëtarja A fitoi 4-0 testin e kontrollit me përfaqësuesen U-19 të drejtuar nga Ramadan Shehu, "ndeshja" e vetme përpara takimit me Danimarkën. Erjon Bogdani shënoi në pjesën e parë, ndërsa Ervin Skela, Edmond Kapllani e sërish Skela me penallti realizuan në fraksionin e dytë. Kuzhe rreshtoi skuadrën 4-4-2, duke pasur në sulm në pjesën e parë dyshen Bogdani-Salihi, ndërsa në të dytën çiftin Kapllani-Berisha.

E Marte, 08 Shtator 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›