Cana: “Danimarka ta harrojë 1 prillin”Danimarka mbërrin për herë të katërt në Shqipëri pas barazimit 1-1 me Portugalinë

Publikoje ne:
Lorik Cana ishte i munguari i madh i Shqipërinë në humbjen më të thellë të saj në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, kur më 1 prill 2009, në “Parken Stadion”, Danimarka shkatërroi jo vetëm 3-0 kuqezinjtë, por na detyroi me “dhunë” të largonim edhe trajnerin holandez Ari Han nga bankina e Kombëtares.
Danimarka mbërrin për herë të katërt në Shqipëri (e para daton, më 30 tetor 1963) pas barazimit 1-1 me Portugalinë, si kryesuese e distancuar me katër pikë nga vendi i dytë (Hungaria) dhe e vetmja skuadër pa humbje në shtatë ndeshjet e para (17 pikë, 5 fitore, 2 barazime), por dhe duke pasur në gjirin e saj Leon Andreasen, Soren Larsenin dhe Kristian Pulsenin, tre autorët e golave në fitoren 3-0 kundër Shqipërisë.
Për herë të fundit në “Qemal Stafa”, u largua me një fitore 2-0 (9 tetor 2004, për eliminatoret e Botërorit 2006), kur kombëtarja jonë drejtohej nga gjermani Hans Peter Brigel, por mesfushori i fuqishëm shqiptar Lorik Cana del “kundër” kujtimeve të pesë viteve më parë, ku dhe ai ishte një nga dëshmitarët në fushë të humbjes (vetëm tre lojtarë janë ende me Kombëtaren nga ai takim: Cana, Duro, Skela).
Skuadra daneze do të kërkojë tri pikët në “Qemal Stafa” për të prerë një biletë me destinacion direkt në Afrikën e Jugut, për të shmangur ndeshjet play-of, por për Lorik Canën, ky nuk do të jetë një objektiv i lehtë për skuadrën e Morten Olsenit. Sipas kapitenit të Sandërlendit, Shqipëria do të japë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv kundër Danimarkës në ndeshjen e ditës së mërkurë për eliminatoret e Botërorit 2010 në grupin 1.
"Është kundërshtari qe ka pasur me shumë sukses deri tani dhe që ka shpresat me të mëdha për ta kapur kreun e grupit. Këtë e tregojnë vetë rezultatet që kanë arritur. Nga ana jonë ne jemi në rrugën dhe logjikën që të përparojmë si Kombëtare dhe si skuadër. E rëndësishme është të vazhdojmë rrugën që kemi nisur dhe të përgatitemi për të ardhmen.” - tha Cana, që numëron 37 ndeshje me përfaqësuesen (1 gol) dhe prej kohësh është “salduar” në qendër të mbrojtjes nga tre trajnerët e fundit të Shqipërisë, si me Oto Bariçin, Ari Hanin ashtu dhe me Josip Kuzhenë.
Ish-kapiteni i Olimpikut të Marsejës jep edhe argumentet e tij në lidhje me një sukses të pritshëm ndaj formacionit të Morten Olsenit.
“E para, sepse është ndeshje zyrtare dhe një kundërshtar mjaft i fortë; së dyti, pa dyshim që ndeshja do të jetë komplet ndryshe dhe tjetër lojë nga ekipi ynë, nga ajo që treguam në Danimarkë. Unë mendoj se nuk do të përsëritet ndeshja e disa muajve më parë", - tha Lorik Cana, në prag të sfidës me danezët, skuadra e 16-të me e fortë në botë, sipas renditjes së FIFA-s për muajin shtator dhe që synon pjesëmarrjen për herë të katërt në finalet e një kampionati botëror.
E Hene, 07 Shtator 2009