E Diel, 1 Nëntor 2026

Formulari A4, datat dhe procedurat e aplikimit



Ata të cilët do të kenë të drejtë të plotësojnë formularin A4, janë të gjithë kandidatët që nuk kanë fituar një vend studimi në listat e fituesve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2009-2010. Megjithatë, edhe të tjerët që janë shpallur më parë fitues, por nuk janë regjistruar do të kenë një shans tjetër sipas ministrisë.

“Kandidatët, të cilët janë përfshirë në listat e fituesve në Fazën 2 dhe Fazën 3 dhe nuk janë regjistruar në kohën e caktuar në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2009 – 2010, duhet të parashtrojnë kërkesë me shkrim në MASH (pranë DPAL) dhe MASH-i të autorizojë APRIAL të verifikojë plotësimin e parimit meritë-preferencë të maturantit dhe të dërgojë zyrtarisht në IAL Publike përkatëse, shkresën për regjistrimin e tij. Afati i këtyre veprimeve është deri më datën 27.11.2009”, - bën të ditur Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

APRIAL shpërndan në DAR/ZA-t më 20.11.2009 formularin A4 për kandidatët maturantë jofitues. Formulari A4 do të tërhiqet nga kandidatët e përcaktuar në pikën 4, të cilët duhet të dorëzojnë formularin e plotësuar në DAR/ZA, deri në datën 25.11.2009. DAR/ZA-të sjellin në APRIAL fFormularët A4 të plotësuar, në datën 26.11.2009.

Sipas ministrisë, APRIAL do të përpunojë të dhënat e mara nga formulari A4 dhe në datën 30.11.2009 të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës.

“Regjistrimi i kandidatëve fitues bëhet pranë sekretarive mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në datat: 2 deri 5 dhjetor 2009, nga ora 08:00, deri në orën 16:00. Për regjistrim, kandidati të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale”, - bën të ditur ministria.

Dokumentet e nevojshme janë dëftesë pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (drejtori i Zyrës Arsimore), si edhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi; 2 fotografi; si edhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë.

“Këta kandidatë të evidentohen edhe në lista të veçanta nga sekretaritë mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë, të cilat të dërgohen në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Pas verifikimit të bërë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, të bëhet regjistrimi përfundimtar nga sekretaritë mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë”, - përcakton udhëzimi.

Ndërkohë, Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, nga data 01.12.2009 do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë.

Ambasada austriake

Shpërndan certifikatat “Entrepreneur Skills Certificate”

Ambasada austriake në Tiranë shpërndau dje certifikatat e sipërmarrjes “Entrepreneur Skills Certificate“ (ESC) të grupit të studentëve shqiptarë të profileve joekonomike, të iniciuara nga Dhoma Austriake e Ekonomisë.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ministri Tafaj, i cili pasi u uroi suksese të gjithë nxënësve të certifikuar, theksoi se qeveria shqiptare i kushton një vëmendje të veçantë përgatitjes profesionale të rinisë, duke i orientuar ata drejt tregut të punës.

“Në shkollat dhe universitetet tona ne synojmë të përgatisim nxënës me aftësi dhe njohuri të duhura profesionale, për të përballuar sfidat e tregut të punës, të formojmë qytetarë të ndërgjegjshëm të një shoqërie demokratike duke bërë që të kemi në këto shkolla qendra të zhvillimit të së ardhmes dhe të ruajtjes e zhvillimit të dijes në shërbim të shoqërisë sonë”, - theksoi Tafaj.

Ministri Tafaj vlerësoi gjithashtu se përgatitja profesionale do të kthehet në një traditë që do të mundësojë integrimin e iniciativave të të rinjve tanë për sipërmarrje ekonomike në bazë të modeleve më të mira evropiane.

Tafaj

Kurrikula të reja për klasat XI dhe XII

Ngrihen grupet e punës për miratimin e programeve lëndore të klasës XI dhe XII gjimnaz për vitet shkollore 2010-2011 dhe 2011-2012.

Ministri Tafaj, duke e cilësuar si një proces jetik për gjimnazin shqiptar reformën e kurrikulave, prezantoi 12 grupet lëndore të punës që do të hartojnë planin mësimor të klasës XI dhe XII gjimnaz.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës në prezantimin e tyre vlerësoi se në përbërje të komisioneve janë 57 figurat më prestigjioze që kemi në fusha të ndryshme të shkencës. Z. Tafaj cilësoi se në këto grupe pune kemi edhe mësues të talentuar me shumë përvojë që mund të japin një kontribut madhor në mënyrë që kjo kurrikulë të jetë shumë reale dhe të pasqyrojë traditën tonë kombëtare në arsim.

“Kjo kurrikulë e re për klasat XI dhe XII gjimnaz reflekton prirjet e zhvillimit të një arsimi të mesëm modern dhe mbi të gjitha na çon tek objektivi që kemi deklaruar për të pasur standarde evropiane të arsimit të mesëm në vend që mbyllet me një maturë të nivelit evropian”, - tha ministri Tafaj.

“Ju do të jeni tani aktorët që do të projektoni dhe në radhë të parë do të vlerësoni materialet, pra kurrikulat që ka përgatitur MASH-i në bashkëpunim me IKT-në dhe mbi bazën e vlerësimit tuaj e përmirësimeve që do të propozoni ju, do të përgatitet dhe varianti përfundimtar i kurrikulës së klasës XI dhe XII.

Mbi këtë bazë do të zhvillohet mësimi në këto klasa, do të trajnohen mësuesit dhe do të hartohen e përmirësohen tekstet. Ky është procesi më i rëndësishëm në reformën e arsimit të mesëm”, - përfundoi Tafaj.

Duke theksuar rëndësinë e këtij procesi, ministri Tafaj garantoi se kjo reformë do të jetë tërësisht transparente dhe e hapur, jo vetëm për aktorët bazë, gjimnazistët dhe mësuesit, por edhe për çdo familje shqiptare, e cila dëshiron të jetë plotësisht e informuar për këtë program mësimor.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka krijuar 12 grupe pune lëndore që do të studiojnë programin mësimor të klasave XI dhe XII dhe të formatojnë kurrikulat e reja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›