Formulat e mundshme për formimin e qeverisë së Thaçit

Subjektet politike tashmë e kanë të qartë peshën që do kenë në Kuvendin e ri të Kosovës.
Fituesi i zgjedhjeve parlamentare, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, po mendon për modulin me të cilin do të formohet koalicioni i ardhshëm qeverisës. Nëse ai do të zgjedhë për partner AKR-në e Behxhet Pacollit së bashku me pakicat, do të ketë në Kuvend 66 deputetë. Nëse koalicioni lidhet me AAK-në e Ramush Haradinajt dhe me pakicat, atëherë do të bëhen së paku 70 deputetë.
E përditshmja “Express” shkruan se Thaçi ka në tavolinë disa opsione koalicionesh që mund të sigurojnë më shumë se 61 vota, të domosdoshme për aprovimin e qeverisë në Parlament dhe për zgjedhjen e presidentit.
Bazuar në ndarjen e mandateve që mbështetet në numërimin e të gjitha votave, përveç atyre me kusht, “Express” në konsultim me disa ekspertë për zgjedhjet ka arritur të vijë te numri i vendeve që do të ketë secila parti parlamentare.
PDK pritet të ketë 35 deputetë, LDK 27, Vetëvendosje 13, AAK 12, AKR 8, SLS 9, JSL 4, KDTP 3, VAKAT 2, PDAK 2, NDS 1, IRDK 1, GIG 1, BSDAK 1 dhe PREBK 1 deputet.
PDK-ja mund të sigurojë vota të mjaftueshme për qeveri edhe vetëm me koalicion me partinë e Behxhet Pacollit dhe pakicat. Sipas burimeve janë 23 nga 25 deputetët e pakicave që do të mbështesnin qeverinë e udhëhequr nga PDK. Vetëm Rada Trajkoviç dhe deputeti i IRDK-së, Xhevdet Neziraj, mund të mos votojnë si deputetët e tjerë minoritarë.