Formulohet paketa fiskale, ja taksat që ndryshojnë
Draftligji për tatimin e kompanive të mëdha në mënyrë progresive sipas fitimit të tyre është gati. Ministria e Financave ua ka dërguar grupeve të interesit. Burime në ministri bënë me dije për MAPO-n se draftligji ka përfunduar së punuari dhe i është dhënë për konsultim grupeve të interesit. Ky ligj është pjesë e paketës së re fiskale që pritet të dërgohet në Kuvend përpara buxhetit të rishikuar, që sipas traditës së kësaj qeverie bëhet prej disa vitesh në muajin korrik. Paketa e re fiskale përmban edhe ligjin për taksën e makinave e gjithashtu tabelën e re të çmimeve të produkteve të akcizës. Këto dy draftligje janë duke u punuar dhe së bashku me atë të tatimit të biznesit të madh do të shkojnë për t’u votuar në kuvend. Draftligji për tatimin progresiv të kompanive të mëdha sipas fitimit të tyre ka për qëllim të zbusë koston që rëndon mbi xhepat e konsumatorëve nga shërbimet, si bankat, telefoninë celulare etj. Tatim fitimi mbi kompanitë të cilësuara si biznes i madh do të rritet deri në 30 për qind, nga 10 për qind që aplikohej. Sipas draftligjit të përfunduar nga Ministria e Financave, ky tregues do të rritet në mënyrë progresive, në raport me të ardhurat. Duke iu referuar të dhënave të administratës tatimore mbi qarkullimin vjetor dhe taksat e paguara për vitin 2009, janë 100 kompani të mëdha që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri. Ndërkohë që Ministria e Financave ka analizuar përqindjen e rentabilitetit të tyre, që është raporti i fitimit të tatueshëm ndaj totalit të ardhurave të tatueshme. Në këtë mënyrë, nga studimi i të dhënave, rezulton se 9 kompani në Shqipëri aplikojnë përqindje rentabiliteti nga 30% në 70% dhe 6 kompani aplikojnë përqindje të rentabilitetit nga 20% deri në 30%. Këto kompani ushtrojnë aktivitete ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Gjithashtu, duke iu referuar draftligjit të Ministrisë së Financave, nuk do të njihen si shpenzime të zbritshme shpenzimet e një kompanie për bonuse dhe shpërblime, të cilat, për shkak të shumave të larta, ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm. Për këtë arsye propozohet që shpenzimet për bonuse/shpërblime, përveçse pagës së tetëmbëdhjetë, të mos njihen si shpenzime të njohura për efekte fiskale, në sektorin financiar. Të gjitha këto masa merren për tatuar më tepër kompani që kanë fitime shumë të mëdha. Deri tani, aplikohej taksë e sheshtë, ku tatim-fitimi ishte në masën 10 për qind, për të gjitha kompanitë. Vendimi për të tatuar mbi fitimin kompanitë e mëdha u mor nga kryeministri Berisha në mbledhje qeverie pak kohë më parë, duke u nisur nga konsumatori, i cili në 10 vitet e fundit është vjedhur si nga bankat ashtu edhe nga kompanitë celulare. Pasi, këto shërbime në rajon ofrohen me çmime shumë të ulëta se në vendin tonë. Ndërkohë që taksa e sheshtë ishte cilësuar si një nga rritjet kryesore të qeverisë Berisha në kuadër të reformave për përmirësimin e klimës dhe kushteve të biznesit.