Sigurimet, janar-mars tregu rritet 7,8%
Të ardhurat nga kontratat e sigurimit në periudhën janar-mars 2011 u rritën me 7,78 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga sigurimet arritën rreth 2,233 milionë lekë, ose 7.78% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-mars 2011 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 296,893, duke dyfishuar numrin e kontratave krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas po të njëjtave statistika, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, që sollën rreth 87.96% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 12.04%. Nga të dhënat e AMF-së, kontratat e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 57.29% dhe kontratat e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 42.71% të totalit të tregut. Përsa i përket kontratave të sigurimit të detyrueshëm, kontratat motorike arritën shifrën 954 milionë lekë, ose rreth 4.04% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti MTPL e brendshme gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2011 pati një ulje prej 18.10% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 6.49% krahasuar me janar-marsin e vitit 2010. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-mars 2011 pati një ulje prej 10.73% për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një ulje prej 13.47%, krahasuar me periudhën janar-mars të vitit të kaluar. Produkti Karton Jeshil pati një rritje me rreth 90.10% për primet e shkruara bruto, krahasuar me janar-marsin e vitit 2010 dhe numri i kontratave pati një rritje prej 52.74% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa kontratat për sigurimin vullnetar, në 3-mujorin e parë të vitit 2011, arritën rreth 1 279 milionë lekë, ose 10.74% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, por dhe me një katërfishim të numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me janar-marsin e vitit 2010. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-mars 2011 patën rritje me rreth 2.47% kundrejt janar-marsit të vitit 2010.