E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fortifikohet bregdeti

Restaurohen kala të rëndësishme në bregdetin shqiptar. Në tre kalatë, nga më të rëndësishmet në trojet tona, në Rodon, Lezhë dhe Shkodër, që ndodhen në breg të Adriatikut dhe pranë tij, u ndërhy për mirëmbajtjen e tyre, por njëkohësisht, sipas specialistit dhe drejtorit të IMK-së, Valter Shtylla, kjo përbën tri fortifikimet më me emër në historinë e Shqipërisë

Fortifikohet bregdeti

Gjatë vitit 2008 në programet e MTKRS dhe të IMK u përfshin punimet e restaurimit në tre kala nga më të rëndësishmet në trojet tona, në Rodon, Lezhë dhe Shkodër, që ndodhen në breg të Adriatikut dhe pranë tij. Duhet theksuar që në fillim se ka rëndësi jo vetëm fakti që në këto objekte u ndërhy për mirëmbajtjen e tyre, por dhe treguesi tjetër se u atakuan njëkohësisht në mënyrë frontale tri fortifikime me emër në historinë e Shqipërisë.

Ndër kalatë më të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, padyshim mbetet Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Muzhlit, Rodonit, në breg të Adriatikut, në veri të qytetit të Durrësit.

Mbështetur në burimet mesjetare, rezulton se Kepi i Rodonit gjatë shek. XV e sipër përfaqësohet nga një qytezë liman i rrethuar me një mur të fortifikuar gjatë bregut të detit, siç vërehet sot nga gjurmët e mureve në kodër dhe mbetjet e kullave buzë detit. Siç dihet, bastioni kryesor i këtij qyteti-port i fortifikuar është pikërisht pjesa e ruajtur ende sot në bregun verior të kepit, e cila njihet me emrin Kalaja e Kepit të Rodonit. Në këtë trakt të mbetur të qytezës së fortifikuar dallohet një oborr i fortifikuar në formë L-je, me një kullë rrethore në shpinë dhe me mur ballor nga deti, ku në kamaret e brendshme me qemer tullash qenë hapur frëngjitë për artilerinë që mbronin qytetin nga deti. Në ekstremin buzë detit të zgjatimit të këtij muri ruhen gjurmët e një kulle, tashmë e shkëputur nga muri. Megjithatë, trakti i ruajtur i Kalasë së Rodonit është pak në krahasim me shtrirjen e madhe që ka pasur ky fortifikim i këtij qyteti–liman, ai duhet se ka qenë bërthama qendrore dhe më komplekse e rrethimit të fortifikuar të Kepit të Rodonit, një territor me përmbajtje shembujsh cilësor të trashëgimisë kulturore.

Kalaja e Kepit të Rodonit në bregun e detit Adriatik, ndodhet në veri të qytetit të Durrësit. Duke ndjekur bregdetin Adriatik, pasi kalon Currilat dhe Bishtin e Pallës, në vijim të një gjiri detar piktoresk në Rrushbull dhe Shën Pjetër ndodhet një territor që futet në det në formë hunde, i cili njihet me emrin Kepi i Rodonit. Në mesjetë njihet dhe me emrin Kepi i Muzhlit, emri i fshatit më të afërt në atë kohë, sot inekzistent. Nga ana territoriale, Kepi i Rodonit përfshihet në zonën e Ishmit, me Shetajn, fshatin më të afërt. Nga pikëpamja historike, vargu kodrinor Kepi i Rodonit përmendet në kohë të ndryshme si një vend me vlera të spikatura të trashëgimisë kulturore.

Më herët në vitin 1324, përmendet emri i Kepit të Rodonit. Në këtë kohë deri në shek. XVII njihej kisha “Soneleta Anasasia alli Rodono”, në tokë të famijes Topia. Atje afër gjendej Kuvendi Sancta Maria de Rodon, me një abat katolik (Jirecek viti 1913). Në vitin 1394, Kepi i Rodonit përmendet në rastin e kryengritjeve kundër Republikës së Venedikut, kur sulmohet oborri i fisnikut venecian, Filip Barelli, në Kepin e Rodonit (Shuflaj fillimi i shek. XIX). Me emrin e Kepit të Rodonit është lidhur ndërtimi i Manastirit të Shën Ndoit nga e motra e Skënderbeut në mesin e shek. XV, viti 1463 (Ippen fillim i shek. XX). Në vitin 1737 ky manastir braktiset për të rifilluar aktivitetin përsëri në vitin 1758. Në 1826-1839 ipeshkvi i Lezhës, boshnjaku Barishiç, e restauroi manastirin duke e kthyer në shërbim të tij. Së fundi në vitin 1852 Manastiri i Shëna Ndoit shkatërrohet nga tërmeti (Ippen). Në përshkrimet e studiuesve të huaj, pas gjysmës së shek. XIX, Kuvendi katolik i Shën Andonit të Padovës ndodhet i braktisur pas tërmetit të asaj kohe. (J.G.Von Hahun, mesi i shek. XIX).

Manastiri i Shëna Ndoit në Rodon përmendet dhe në Relacionin e Arqipeshkvit të Tivarit, Marin Bici, drejtuar Papës Pali V në vitin 1610 (Relacione mbi Shqipërinë e Mesme të Veriut V. I, 1963, Dok 2).

Kepi i Rodonit si vendbanim i fortifikuar me vila fisnikësh, me kuvende, bastione e kulla të fortifikuara ka qenë një liman detar i njohur i mesjetës, në veri të atij të Durrësit. Kështu në Relacionin e Mariano Bolicës të vitit 1614 theksohet Limani i Kepit të Rodonit dhe ai i Shën Pjetërit pas kodrës në jug të Kepit, ku dhe sot fshati mban emrin e Shën Pjetërit. (Relacione mbi Shqipërinë e Mesme e të Veriut, Dok. 3). Duhet theksuar se një pjesë e mirë e ndërtimeve historike të përmendura kanë qenë përfshirë në qytezën e fortifikuar të Kepit të Rodonit. Sigurisht, Kalaja e Kepit të Rodonit dhe kisha me mbetjet e Manastirit të Shëna Ndoit përfaqësojnë vlerat historike të vetme që kanë mbetur nga ndërtimet mesjetare në këto troje.

Lidhur me fazat e ndërtimit të kalasë së Kepit të Rodonit kanë shkruar autorë të ndryshëm. Barleti në veprën e tij “Historia e Skënderbeut” shprehet: “Sulltan Mehmeti II u nis nga Kruja dhe në vendin Caput”. Redoni Skënderbeu kish filluar të ngrinte aty një qytet të quajtur Kiurilus (Currilat për mendimin tim). Sulltani e gjeti të zbrazët e të papërfunduar dhe e prishi nga themelet, “Bastijoni rrethor 20 m i lartë në anën veriore nga gjiri i Drinit. Në kënd të drejtë me të, një mur arrin deri në det duke bllokuar kalimin nga bregu. Është një qytet-port i fortifikuar për zbarkimin e anijeve. Në majën e kodrës së Kepit të Rodonit ndodhen shumë kazerma e bombardjerë të ndërtuara nga Skënderbeu (Dokumente për Historinë e Shqipërisë, 1479, 1506, Tiranë 1979). Jirecek në 1913 shkruante se “Skënderbeu ka pas ndërtuar mbi këtë ballamal një qytezë, gërmadhat e së cilës kështjellë “Oppidum al Redonos” (fortesa në Rodon), por ai ende në 1467 më korrespondonte me ta për “restauro o loci Rhodonorum”. Vijonte autori se në anë të veriut gjendet tani Kuvendi Françeskan i Shëna Ndoit, i rindërtuar pas tërmetit të vitit 1852. Në burimet e vitit 1500 përmendet ndërtimi në Rodon nga venedikasit i një fortese në një kep të quajtur Currila. (Dokumente për Historinë e Shqipërisë 1479 – 1506, Tiranë 1979).

Në materiale përshkruhen elementët e ndërtimit si gurë, gëlqerja etj. Për sigurimin e punimeve në kështjellë, Flota Veneciane bën roje në afërsi të Kepit të Rodonit.

Dokumente të 5 qershorit të vitit 1500 jepen të dhëna teknike për Kështjellën e Currilave (Rodonit) siç janë: gjatësia 120 hapa, gjerësia 40 hapa, hemeku 10 hapa i gjerë dhe 20 hapa i lartë. Ka një pirg në mes të malit, i rrënuar përgjysmë, shumë i trashë me shumë kazemate e bombardjere të ndërtuara nga Skënderbeu. Në gjendjen e sotme, në kalanë e Rodonit ruhet një kullë rrethore në qoshen jugore dhe një oborr i fortifikuar me frëngji topi me hyrje dhe dalje. Ka dhe dy gjurmë pirgjesh në bregun e detit, që dëshmojnë ekzistencën për një mur rrethues të gjatë bregor, që ka pas konturuar gjithë kodrën e Kepit të Rodonit.

Kalaja e Rodonit, duke qenë një ndërtim në breg të detit, prej shumë shekujsh ajo i është nënshtruar faktorëve dëmtues të erozionit detar. Prandaj për ruajtjen e këtij Dokumenti Historik të Kulturës Materiale gjatë vitit 2008, realizuam një ndërhyrje për qëndrueshmërinë e saj, si dhe për sistemimin dhe evidentimin e rifenteturës së saj.

Kulla buzë detit që rrezikohej për t’u rrëzuar në themelet e saj. Brenda oborrit të kalasë u krye plotësimi i qemerëve me tulla në kamaret me frëngji. Muri rrethues u plotësua në një fragment karshi bregut të detit. Punime konsolidimi u kryen dhe në qemer të kalasë, në hyrjen nga jugu etj. Nga jashtë, në qoshen jug-perëndimore u evidentuan trakte muresh të fazave të kalasë, si dhe u sistemua terreni me mure mbajtës dhe kanale, procese që u kryen dhe në skajin juglindor të kalasë. Mund të shprehim se këto janë punimet më të thella të kryera deri më sot në këtë objekte të spikatur të historisë sonë.

***

Lezha në antikitet është Lissi i shekullit IV p.e. sonë, i cili për herë të parë përmendet në vitin 385 p.e.sonë. Në majën më të lartë të qytetit, në Kodrën e Shelbuemit ndodhet Akrolisi antik (Lissi i sipërm). Zbulimin më të madh Lissi e pati në gjysmën e dytë të shekullit të III p.e.sonë , fillim i shekullit të II. Në vitin 213 p.e. sonë qyteti u pushtua nga Aleksandri i Maqedonisë, ndërsa në vitin 168 p.e.sonë kaloi në varësi të Perandorisë Romake. Në kohën e perandorit Cezar, Lissi ishte qytet tipik romak. Ai vazhdoi jetën qytetare dhe në mesjetën e hershme, gjatë shekujve VII-VIII. Në periudhën e Temës së Durrësit, në shekullin IX, ndërtohet kështjella mesjetare. Pas vitit 1398, Lezha ndodhet në duart e Dukagjinasve. Më 2 mars 1444 në Lezhë u mblodh Kuvendi Historik i Lezhës, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut, po në vitin 1478 Lezha u pushtua nga turqit, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në ndërtimet e kalasë mesjetare.

Kalaja e Lezhës përfaqëson një nga kalatë më të vizitueshme, pjesë e rëndësishme e itinerareve tona kulturore. Nga pikëpamja e ruajtjes, përgjithësisht muret e saj rrethuese qëndrojnë në gjendje të fortë dhe me gjurmë të qarta të fazave antike dhe mesjetare. Në brendësi ruhen gjurmë nga ndërtimet e mesjetës si: xhamia, sarajet, stera etj.

Si objekt i hershëm, në kalanë e Lezhës ka dhe probleme që lidhen me qëndrueshmërinë e kullave dhe mureve. Gjatë vitit 2008 u kryen punime përforcimi në themelet dhe xokoelat e dy kullave të pasme nga ana e lagjes Varosh, në orientimin lindor. Në këto kulla u qepën dhe çarje vertikale, pasojë e lëkundjeve sizmike. Në muret lindore dhe veriore u mbushën zgavra, që rrezikonin vertikalitetin e mureve gjatësore.

Në këto anë u pastruan muret dhe nga vegjetacioni i shumtë, i cili me rrënjët masive rrezikonte soliditetin e mureve. Për të ardhmen është parashikuar përforcimi i dy kullave në muret veriore dhe jugore, ku kërkohen ndërhyrje të thella e të studiuara konkretisht. Kalaja e Lezhës, si objekt itinerare turistike-kulturore, është ndër fortifikimet e merituara të historisë tonë kombëtare.

***

Kalanë e Rozafatit në Shkodër e lamë për në fund jo si më pak të rëndësishme, por për faktin se ajo ndodhet në shtrirjen më veriore të kolanës së tre kalave bregdetare që trajtojmë në këtë shkrim. Kalaja e Rozafatit është nga objektet historike fortifikuese më të mëdha në Shqipëri. Kjo kala përfaqëson një nga kalatë më të rëndësishme për historinë e Shqipërisë.

Kalaja e Rozafatit gjatë historisë së saj ka kaluar nëpër disa faza ndërtimi. Gjurmët antike të saj, teknika e mureve të saj me blloqe poligonale, ruhen pranë hyrjes kryesore të kalasë. Si qendër e fortifikuar ilire, kjo kala përmendet për herë të parë në kohën e sundimtarit ilir Genti, në mesin e shekullit të II p.e.sonë. Historiani Tit Livi e quan Shkodrën vendin më të fortë të fisit të Labeatëve. Poshtë kodrës, rrëzë urës së Bahçallëkut, në bregun e lumit Drin, janë zbuluar gjurmë muresh mbrojtëse dhe rrënojash të qytetit që shtrihej aty në kohën e pushtimit romak. Në mesjetë kalaja njihej me emrin Rozafa të cilin duhet ta ketë trashëguar në shekullin VI.

Gjatë periudhës të mesjetës, kështjellën e Shkodrës e kanë pushtuar herë bizantinët e herë sllavët deri në vitin 1355 kur u mor nga dera e Balshajve, familje e fuqishme shqiptare deri në fillimin e shekullit XV. Pas vitit 1396 në Shkodër hynë venecianët. Pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeu, në vitin 1447 Shkodra u rrethua për herë të parë nga turqit, të cilët e pushtuan këtë qytet vetëm pas rrethimit të dytë në vitin 1479. Deri në vitin 1865 në kala ka qenë qendra administrative e qytetit. Brenda saj ka qenë pallati i feudalëve Bushatllinj, si dhe banesa e guvernatorit të Vilajetit. Në muret mesjetare të kalasë së Rozafatit dallohen fazat ndërtimore të katër periudhave historike

1. Balshajt (shekulli XIV).

2. Zotërimi venecian (shekulli XV).

3. Zotërimi osman (shek. XVI-XVII).

4. Periudha e Pashallëkut të Shkodrës e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).

Brenda mureve të kalasë së Shkodrës ruhen mjaft ambiente të së kaluarës historike si depo (arsenal) armësh, depo uji, stalla, objekte kulti (kishë, xhami), banja, burgje etj. Ndër objektet më të spikatura kisha e Shën Stefanit (shek. XIII), e cila u transformua në xhami. Kalaja e Shkodrës është nga fortifikimet më të mirëmbajtura që ruhen sot tek ne. Si objekt ndërtimor me përmasa të mëdha, me mure të larta dhe me ndërtime brenda tre oborreve të saj, ky objekt kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme për të realizuar qëndrueshmërinë e tij dhe evidentimin e vlerave që ruan brenda vetes. Si përfundim theksojmë se punimet e kryera gjatë këtij viti në Kalanë e Shkodrës përbëjnë ndërhyrjet më të gjera që kanë prekur këtë monument ndër vite. Si strukturë janë plotësuar shumë zgavra në muret e oborreve dhe të ndërtimeve të veçanta, një pjesë pranë kishës. Me procesin e anastilozës është konsoliduar një trakt bedeni në murin sipër hyrjes.

Puset e stereve janë siguruar me zgara metalike dhe me shkallë për pastrimin e tyre. Në kala bie në sy pastrimi masiv i sipërfaqeve të tëra nga vegjetacioni mbulues i mureve. Me qindra metra katrorë faqe muresh nga veriu dhe perëndimi kanë dalë në dritë, duke evidentuar qartë sistemin fortifikues të kësaj kalaje iliro-mesjetare. Ishin këto disa nga objektet e Trashëgimisë Kulturore të trajtuara gjatë këtij viti, ku ndërhyrjet kanë qenë të një karakteri mjaft të gjerë si në aspektin e konsolidimit, ashtu dhe në atë të evidentimit të vlerave të tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›