Në pranga 28-vjeçari, akuzohet për tentativë vrasjeje të dyfishtë
Një 28-vjeçar u arrestua nga policia e Tiranës, pasi akuzohet për tentativë vrasjeje të dyfishtë. Mbrëmjen e djeshme agjentët e policisë kanë vënë në pranga Elvis Gurrën, i cili dyshohet se ka plagosur me armë më 17 maj të vitit 2008 Dorjan Domin dhe Çlirim Garozhjanin. Ngjarja ka ndodhur afër piceri “Piromanit”, në lagjen “Ali Demi”. Sipas policisë, ngjarja kishte për motiv larjen e hesapeve për shkak të aktiviteteve të dyshimta të të plagosurve jashtë vendit. Gurra rezulton gjithashtu i arrestuar dhe i dënuar për vrasjen e nënës së tij. 28-vjeçari, sipas burimeve nga policia, ka një dosje shumë të pasur kriminale, ku më e freskëta është ajo e majit të këtij viti. Gurra rezulton gjithashtu i arrestuar dhe i dënuar më parë me 5 vjet burg për vrasjen e së ëmës, Nurie Gurra. Elvis Gurra, më 14 tetor 2004, rreth orës 13:00, ndërsa po qëndronte në katin e dytë të banesës së tij së bashku me nënën Nurie Gurra, ka parë që ajo ka marrë një armë zjarri të cilën ai e mbante në dhomë. Gurra në tentativë për t’ia marrë armën mamasë, ajo është zbrazur duke qëlluar të ëmën.
Ndërsa në nëntor të këtij viti, 28-vjeçari u mor peng nga dy persona, të cilët e keqtrajtuan dhe tentuan ta varrosnin të gjallë. Gurra arriti të largohej në kohë prej pengmarrësve dhe të shpëtonte. Policia mundi të vinte në pranga organizatorin e rrëmbimit të Gurrës, Aleksandër Akullin, i cili ishte miku i Domit dhe Garozhjanit, të cilët Gurra tentoi t’i eliminonte në maj të këtij viti. 28-vjeçari kishte rritur që t’i shpëtonte policisë. Por në mbrëmjen e djeshme, agjentët arritën që ta vënë atë në pranga.
Ngjarja tek “Pirro Mani”, plagosen dy persona
Dy personat janë qëlluar disa herë me pistoletë sapo kanë ndaluar makinën në parkingun e lokalit. Ata kanë mbetur të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 17 majit, rreth orës 16:00, në parkingun e restorantit të njohur “Pirro Mani” në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet, kur Roland Domi dhe Çlirim Garozhjani, janë qëlluar me breshëri automatiku teksa ndodheshin në bordin e një automjeti tip “Benz” me targa TR 1380 L.
Personi i plagosur, Roland Domi, është transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak për t’iu nënshtruar ndërhyrjes së specializuar të mjekëve. Ndërsa shoku i tij, Çlirim Garozhjani ka shpëtuar paq me lëndime të vogla. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka filluar hetimet për zbardhjen e saj. Nga burime të saj është mësuar se i plagosuri Domi ishte një emigrant në shtetin italian dhe kishte rreth dy muaj që ishte kthyer në vendlindje. Gjithashtu, të dhënat e para të policisë folën se objektivi i atentatit ka qenë Roland Domi. Kjo, pasi pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka rezultuar se të shtënat me armë kanë qenë në krahun e drejtuesit të automjetit tip “Benz” i zi. Pikërisht në këtë vend, hetuesit thanë se ka qenë i pozicionuar edhe i plagosuri Roland Domi. Ndërkohë, policia ka mbledhur dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal si dhe të vetë personit të lënduar të ngjarjes si dhe ka filluar kërkimet për autorin e ngjarjes. Sakaq, për autorësinë e krimit burime nga policia janë shprehur se mendohet të jenë dy, pasi një tjetër person është parë të largohet me shpejtësi me makinë pas ngjarjes.
Rrëmbimi i Gurrës
Disa persona me uniforma policie arritën në banesën e tij në afërsi të fshatit Vaqar. Rrëmbyesit e veshur me uniforma u kanë thënë familjarëve të pengut dhe vetë atij se duhej ta shoqëronin për një verifikim. Pasi e kanë futur në makinë, pengmarrësit kanë folur mes tyre në gjuhën gjermane që të mos kuptoheshin nga i rrëmbyeri. Elvis Gurra është transportuar me makinë deri në zonën ku ishte hapur gropa, dhe aty i kanë lidhur duart. Në këtë kohë dy nga pengmarrësit janë larguar për te makina për të marrë diçka, ndërsa kanë lënë një të tretë të pajisur me armë, që të ruante pengun. Elvis Gurra ka vepruar në këtë moment. Viktima është ngritur në gjunjë dhe më pas në këmbë dhe është larguar me vrap në drejtim të fshatit, ku është ndihmuar nga një banor i zonës. Personi që ishte ngarkuar të ruante pengun ka tentuar të qëllonte me armën kallashnikov që mbante në duar por ajo është bllokuar. Policia më pas arrestoi Aleksandër Akullin, 35 vjeç, si organizatorin e ngjarjes. Ai ka qenë miku i dy personave, ndaj të cilëve dyshohet se qëlloi Gurra, afër piceri “Pirro Manit”.