E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi 2015: EULEX-i dështoi në shumë aspekte

Forumi 2015 e ka prezantuar raportin “Në valle me EULEX-in: Luj Shote, luj...”, nëpërmes të cilit ka bërë publike ngecjet e misionit të EULEX-it. Sipas këtij raporti, ndër dështimet e EULEX-it janë mosvendosja e rendit dhe e ligjit në veri të vendit, qasja neutrale e këtij misioni ndaj statusit të Kosovës, progresi i pakët në luftën kundër korrupsionit, etj., transmeton KTV.

Ndërsa, shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Bern Bochard, këto kritika të këtij raporti i ka quajtur rekomandime, duke thënë se misioni që drejton ai po i jep një vlerë të shtuar shtetit të Kosovës. Ai po ashtu ka theksuar se EULEX-i ka bërë punë të madhe në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Kurse, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka pohuar se suksesi i EULEX-it është sukses edhe i Kosovës, por sipas tij, ky mision duhet të bëjë edhe më shumë në fushën e sundimit të ligjit.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është dekurajuese mosfunksionimi e rendit dhe i ligjit në veri të vendit. Ndërkaq, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se Kosova dhe BE-ja duhet të merren vesh për mandatin e misionit të EULEX-it, duke shtuar se duhet të punohet edhe më shumë në fushën e drejtësisë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›