E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Gashi: Brezovica në 10 vjet do t’i sjell Kosovës 5 miliard euro

5 miliardë euro pritet të jenë të hyrat në 10 vjetët e parë të projektit “Brezovica”. Ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, ka bërë të ditur në emisioni Rubikon se në 10 vjet, sa do të zgjasë ky projekt, pritet të hapën mijëra vende të reja pune dhe sipas parashikimeve të ekspertëve, vlera e fitimeve do të kapë shifrën e 5 miliardë eurove. Gashi ka thënë se gjithmonë do të kihet kujdes që gjatë investimeve të ruhet ambienti.

Për këtë është pajtuar edhe Bardhyl Metaj nga Oda Ekonomike Gjermane, i cili ka potencuar se investitori prioritet do ta ketë ruajtjen e ambientit, pasi që edhe synim kryesor i tij do ta jetë që qendrën e skijimit në Brezovicë ta bëjë konkurrente me qendrat e skijimit në Evropë dhe botë. Ndërkaq ministri Blerand Stavileci ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës do të investojë në ndërtimin e rrugës që dërgon në Brezovicë dhe në ndihmesë turizmit atje do të jenë edhe autostrada për Shkup dhe aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës, i Tiranës dhe i Shkupit. Deri tash Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë ka përzgjedhur 4 konzerciume, njëra prej të cilave pritet të fitojë kontratën për investime në Brezovicë, transmeton koha.net

Kontrata pritet të nënshkruhet në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkaq me këto investime pritet që ky resor që shtrihet në Bjeshkët e Sharrit dhe është rreth 60 kilometra larg Prishtinës, të jetë i vizituar në të gjitha stinët./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›