Forumi i Crans Montana-s rikthehet me të njëjtat projekte nga viti 2009
Forumi i biznesit i “Crans Montana”-s, i cili financohet me anë të një vendimi të fshehtë nga qeveria shqiptare, do të mbledhë gjatë dy ditëve të ardhshme qeveritarë dhe përfaqësues kompanish nga disa vende të rajonit, për të diskutuar të ardhmen ekonomike të disa projekteve që u prezantuan në të njëjtin forum vitin e kaluar. Sipas një axhende diskutimesh të publikuar dje, telefonia, teknologjia e informacionit dhe energjia, do të jenë temat kryesore. Përveç Kryeministrit Sali Berisha, të pranishëm si të ftuar nderi pritet të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i Greqisë, Theodoros Pangalos, dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi.
Projektet energjetike të gazsjellësve dhe termocentraleve me gaz do të prezantohen edhe një herë në këtë forum. Projekti i gazsjellësit “TransAdriatik”, një nismë zvicerane që synon marrjen e gazit në Iran, për ta dërguar në Italinë e Jugut përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë, do të paraqitet te zyrtarët shqiptarë dhe ekspertët e huaj. Një prezantim të posaçëm do të ketë edhe projekti i termocentralit dhe gazsjellësit të Semanit, i cili synon të importojë gaz të lëngshëm nga Katari për të prodhuar energji elektrike në Shqipëri dhe për të eksportuar gaz natyror në Itali. Sipas axhendës, forumi i “Crans Montana”-s i këtij viti në Tiranë, nuk dallon fare nga ai i zhvilluar një vit më parë. Projektet dhe protagonistët janë pothuajse të njëjtët.
#