Komisioni Rama 2, Kushtetuesja rrëzon Kuvendin
Gjykata Kushtetuese zbardh argumentet e vendimit me të cilin rrëzon komisionin hetimor të miratuar nga Kuvendi për hetimin e lejeve të ndërtimit dhënë nga Bashkia e Tiranës. Në 17 faqe, Gjykata Kushtetuese shprehet se Kuvendi ka tejkaluar kompetencat kur konstatoi pavlefshmëri të vendimeve të KRRT-së së Tiranës në datën 17 prill 2009. Gjykata vlerëson se, përfshirja e një komisioni hetimor në një objektiv që mund të arrihet me mjete të tjera, çon në cenimin e parimit të racionalitetit dhe proporcionalitetit në veprimtarinë e autoritetit publik. Gjykata Kushtetuese vëren gjithashtu, se nga konkluzionet e komisionit hetimor rezulton se veprimtaria e tij nuk është përqendruar vetëm në verifi kimin e fenomenit dhe ngritjen e problemeve. Gjykata Kushtetuese vlerëson se objekti i hetimit të komisionit hetimor, i ngritur me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 249, datë 23.04.2009, “Për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për hetimin e praktikave dhe procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës”, nuk ka respektuar kriteret e sanksionuara në nenin 77 të Kushtetutës dhe se objekti i veprimtarisë së tij nuk përputhet me funksionin dhe qëllimet e kontrollit parlamentar. Në këto kushte, nga mënyra se si është përcaktuar objekti i hetimit parlamentar në vendimin e Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor, me hetimin e kryer nga ana e komisionit hetimor, si dhe me konstatimin si të paligjshëm të vendimeve të KRRT-së nga ana e këtij komisioni, është shkaktuar një konfl ikt kompetencash, duke sjellë si pasojë pengimin e ushtrimit të kompetencave të veta nga ana e kërkuesit, Bashkia e Tiranës. Kushtetuesja thekson se funksioni kontrollues i Kuvendit nuk mund të qëndrojë jashtë natyrës së tij ligjvënëse, pasi sipas saj, komisioni hetimor kontrollon brenda kompetencave kushtetuese, një fenomen apo një drejtim të caktuar të çështjes, por pa hyrë në sferën e kompetencave të organeve të tjera. Gjykata thotë për vendimin e Kuvendit për ngritje komisioni, se nocionet që janë përdorur në këtë vendim janë të paqarta dhe se një situatë e tillë, pra specifi kimi i objektit të hetimit nga ana e komisionit hetimor, do të përbënte një nëndelegim nga ana e Kuvendit, çka është në kundërshtim me Kushtetutën. Si përfundim, Gjykata vendosi: Pranimin e kërkesës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke shfuqizuar vendimin nr. 249, datë 24.04.2009 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për ngritjen e komisionit hetimor” dhe vendimin nr. 252, datë 15.05.2009 “Për miratimin e raportit përfundimtar të komisionit hetimor”.
#