E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë shpall të pafajshëm ambasadorin Tarifa

Vendimi Ish-kryediplomati në Uashington u dënua nga Shkalla e Parë dhe e Apelit, me 400 mijë lekë gjobë

Gjykata e Lartë ka shpallur të pafajshëm ish-ambasadorin shqiptar në Uashington, Fatos Tarifa. Kolegji Penal i Gjykatës Supreme me relator gjyqtarin Gani Dizdari vendosi dje të rrëzojë dy vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat e kishin dënuar ish-kryediplomatin shqiptar në SHBA me një gjobë prej 400 mijë lekësh.

Gjykata rrëzoi pretendimin e Prokurorisë së Përgjithshme se ish-ambasadori ynë në Uashington, Fatos Tarifa, i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 143 mijë dollarësh amerikanë, duke e shpallur të pafajshëm. Ne seancën e djeshme ishte i pranishëm edhe ish-diplomati Fatos Tarifa, së bashku me avokatin Maksim Haxhia. Mbrojtja i tha Kolegjit Penal se përgjegjësia ligjore nuk mund të binte mbi Tarifën, por mbi punonjësit e tjerë të cilët kryejnë edhe kontrollin e financave të ambasadës.

Tarifa ishte shpallur fajtor nga dy gjykata dhe ishte dënuar me një gjobë 400 mijë lekë, pasi sipas prokurorisë ish-diplomati gjatë ushtrimit të detyrës së tij kishte vepruar në kundërshtim me ligjin në likuidimet e pagesave pa fatura fiskale dhe mosjustifikimin e pagesave të bëra. Vendimet e dy Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Dytë dhe qëndrimin e prokurorisë, Gjykata e Lartë i hodhi poshtë me argumentimin se gjykimi nuk duhet të kishte nisur fare ndaj ish-diplomatit të njohur.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e vet dërguar Prokurorisë konstatoi të pajustifikuara shpenzimet e Tarifës në vitin 2005 në ambasadën shqiptare në Uashington. çështja u hetua nga Prokuroria e Tiranës, e cila e dërgoi në gjykatë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Gjatë seancave të marrjes në pyetje, por edhe gjatë dëshmisë para gjykatave shqiptare, Tarifa u vetëshpall i pafajshëm, ndërsa vetëm Gjykata e Lartë, ajo më e rëndësishmja, i dëgjoi pretendimet e tij, duke e shpallur të pafajshëm. Tashmë ish-ambasadori shqiptar në Uashington mund t’i kthehet jetës diplomatike pasi mbi shpinë nuk ka asnjë vendim dënimi gjyqësor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›