Forumi i Dialogut, idetë për ‘Shqipërinë normale’ sot në një takim në Tiranë

Forumi i Dialogut ka prezantuar sot idetë e tij për një “Shqipëri normale”, gjatë një tryeze me intelektualë dhe aktivistë.
Drejtuesi i Forumit, Ermal Hasimja, ka bërë të ditura përmes një postimi pikat kryesore të platformës, duke theksuar nevojën për ndryshime në funksionimin e shtetit, ekonomisë dhe sistemit politik.
Sipas Hasimjes, një nga objektivat kryesore është “çlirimi i shtetit nga partia” dhe “çlirimi i ekonomisë nga politika”.
Forumi kundërshton gjithashtu modelin politik që, sipas tij, synon thjesht zëvendësimin e një kryeministri me një tjetër. “Të gjitha partitë e opozitës kërkojnë zëvendësimin e një kryeministri të keq me një ‘të ndershëm’. Forumi kërkon një sistem që parandalon kryeministra autoritarë dhe nuk varet nga ndershmëria e individit”, shkruan Hasimja.
Një tjetër pikë e platformës është ndryshimi i modelit ekonomik, nga ajo që Forumi e konsideron një ekonomi të mbështetur te paratë e pista, drejt një ekonomie prodhuese dhe eksportuese.
Në tryezë janë propozuar edhe ndryshime në sistemin zgjedhor, përfshirë kandidatin unik të opozitës për çdo bashki, parimin e balotazhit në zgjedhjet vendore dhe proporcionalin kombëtar.
“Janë idetë tona për një opozitë fituese dhe më pas një Shqipëri Normale”, përfundon Hasimja.m.k