E Diel, 1 Nëntor 2026

Situatë e tensionuar në Prishtinë, ndërhyn policia ndaj protestuesve

Tensionet janë përshkallëzuar mbrëmjen e sotme para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit janë përplasur me Policinë pas moshedhjes në votim, në lexim të dytë, të ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale.

Protestuesit kanë vijuar të hedhin mjete piroteknike në drejtim të ndërtesës së Kuvendit, ndërsa Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, në përpjekje për t’i zmbrapsur dhe për të kontrolluar situatën.

Policia e Kosovës ka deklaruar se, pavarësisht kërkesave dhe thirrjeve të vazhdueshme për respektimin e ligjit dhe zhvillimin e protestës në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin gazin lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve dhe personave të tjerë nga Kuvendi.

Sipas Policisë, gjatë protestës janë hedhur sende të ndryshme dhe mjete piroteknike, janë përdorur fishekzjarre, ndërsa janë ndezur edhe disa kontejnerë mbeturinash dhe zjarre në rrugë. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar rëndë.

Sponsorizuar

“Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotsjellës, për të mundësuar daljen e personaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka theksuar se njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike, ndërsa u ka bërë thirrje protestuesve të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjin.

“Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore, si dhe mbarëvajtja e protestës, vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim. a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›