E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi per Zhvillimin Ekonomik Meta Te orientohemi drejt prodhimit

Lëvizja socialiste për integrim ka një program për zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo sugjeron ristrukturim të modelit ekonomik duke e orientuar drejt prodhimit.
 “Të kemi një ekonomi që prodhon, të ulim importet dhe të kemi mundësi të rrisim eksportet. Remitancat janë në rënie, që kanë qenë burimi kryesor i financimit të ekonomisë. Probleme të tjera që kanë të bëjnë me taksat. Për ne e para është që në të kemi një ristrukturim sa më të shpejtë për ekonominë e vendit, nga një ekonomi konsumi në ekonomi të orientuar drejt prodhimit. E gjithë politika e taksave të vihet në këtë funksion dhe të hapen vende të reja pune. Sa i takon tregut. Absolutisht për ne avantazhet e një ekonomie që bazohen tek tregu i lirë duhet të shoqërohen me rolin rregullator të qeverise, në mënyrë që të gjitha shtresat e shoqërisë të përfitojnë”, deklaroi Meta. 
Meta foli edhe për mungesë strategjie të qartë që vendi të mos bjerë në recension duke iu referuar shifrave të Bankës Botërore.
“Banka Botërore vlerësonte se ekonomia u rrit vetëm 0.5 për qind, tre muajt e parë. Pra, jemi pranë recesionit. Në këtë situatë, kur kemi një thellim të deficitit tregtar, rritje të borxhit publik, përtej limiteve të pranueshme, kur klima ndaj biznesit është bërë gjithmonë e më e vështirë, kur ka probleme të shumta, sigurisht që ka shumë kambana që kërkojnë një kthjelltësi dhe orientim të shpejtë jo vetëm për masa stabilizuese, por edhe ristrukturim të modelit ekonomik”, nënvizoi kreu i LSI. 
Këto deklarata kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i bëri në forumin që organizoi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›