E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotografia artistike në objektivin e brezit të ri

Futjes së artit në fotografi, apo fotografia artistike është një fenomen i hershëm në Shqipëri ku u kuptua se fotografia mund të shpërfaqë edhe tipare të karakterit, temperamentit dhe gjendjes psikologjike të subjektit (njeriut) duke nxjerrë në pah me mjetet shprehëse të saj si dritë-hija, kuadrimi, linjat, sfondi etj, ato pjesë të fizionomisë që plotësonin qëllimin e fotografit. Por a vijon të gjallojë një traditë e tillë në ditët e sotme?

Kur flasim për fotografinë artistike në ditët e sotme, nuk është se nuk krijohen foto artistike dhe nuk ka fotografë pasionantë me kërkesa të larta estetike, madje edhe me prirje të kënaqshme për fotografinë e kohës, por problemi qëndron në menaxhimin e dobët të këtij brezi fotografësh.

Duke qenë se vetëm pak kohë më parë, fotografia ka reshtur së këqyruri si një formë midis teknikës dhe artit. Ajo është pranuar si lloj arti, ndërsa teknika ka përparuar në mënyrë marramendëse. Në ditët e sotme pjesa më e madhe e popullsisë ka një aparat fotografik, që e përdor për dokumentimin e ngjarjeve familjare. Ndërsa në morinë e gazetave dhe revistave që dalin çdo ditë në treg, mund të shohësh fare mirë ndryshimin e cilësisë së fotografisë, edhe jo më larg se disa vjet më parë. Duket sikur fotografia po nxiton të bëhet shprehëse. Përditë e më shumë ajo po konkurron shkrimet dhe është duke folur drejtpërdrejt me publikun, pa nevojën e fjalëve. Megjithatë, në morinë e shfaqjeve të saj, cila është fotografia artistike? Për të zbardhur dilemat, i jemi drejtuar disa nga emrave më të njohur në botën e imazhit. Edhe pse preferojnë tre drejtimeve të ndryshme brenda fotos, ata nuk ngurrojnë të shprehin opinionin e tyre për artin e fotografisë.  Të gjithë ndajnë mendimin se vërtet nuk ka një përcaktim të ngurtë se çfarë është një fotografi e tillë.

Bevis Fusha, thotë se: “Të kthesh një foto të dokumentarizuar në një foto artistike, në fillim duhen elementët estetikë dhe artistikë, më pas brendia e fotos. Domethënë a është në gjendje fotografia të raportojë pesë Ë e foto-reportazhit, në të njëjtën kohë të jetë e pazakontë, të mos jetë e identifikueshme, të përmbajë në vetvete aspektin komunikativ, pastaj se çfarë e bën të zakonshme në aspektin teknik mund të jenë elementë të pakuptueshëm nga autori dhe të palexueshëm nga lexuesi”. Por nga ana tjetër ai shpjegon se: “Është utopike të mendosh se mund të perifrazosh apo mendosh fjalë për fotografinë, mbetet mos flitet fare. Por nuk mund të përcaktosh se çfarë është foto arti, pasi janë aq komplekse”.

 Lidhur me vendin që zë ajo në shoqërinë tonë, Fusha shprehet se fotografia artistike nuk funksionon, pasi fotografët përhumben më përcjelljen e ngjarjeve të momentit. “Në rastin e imazhit nuk besoj se në foton e shtypit kërkohet e bukura, me teknikë apo është plus, por nuk ka një ndarje të tillë. Një fotoreporter nuk ka si qëllim të kapërcejë imazhin, por të përcjellë informacionin. Ndërkaq, fotoja artistike është foto me kërkim më shumë se sa dokumentimi, që kërkon mendimin dhe ka të njëjtat kërkesa si artet e tjera”, vijon më tej ai. Vetë Bevisi preferon fotografinë dokumentareske shoqërore.

Ndërkaq Armando Babani mban një qëndrim më ekstrem lidhur me ekzistencën e fotografisë së mirëfilltë artistike në momentin ku ndodhemi.

“Të bësh një foto artistike është më shumë sesa të nxjerrësh një femër lakuriq, pasi shumë fotografë krenohen se kanë bërë një foto artistike, por gjithçka është iluzion. Nuk mendoj se ka artistë të mirëfilltë që bëjnë foto artistike, ndoshta është mendim ekstrem, por ky është mendimi im, duke qenë se perceptimet janë të ndryshme. Një arsye tjetër është edhe mungesa e tregut”. Në mënyrë më të qartë ai shpjegon: “Të zotërosh shumë mirë një mjeshtëri dhe të jesh artist, këto janë dy gjëra të ndryshme”.

Vetë Babani prej shumë vitesh ka zgjedhur të jetë fotoreporter. Për të ka qenë një zgjedhje e brendshme, por edhe eksperienca e gjatë, duke qenë se 18 vjet është marrë me gazetari. Pasioni për këtë gjini të fotos, nuk ka ardhur thjesht për të mbijetuar, ndoshta në fillim por më vonë ai është ndjerë më i fortë në një fushë të caktuar të fotografisë.

 Një tjetër fotograf, Armand Habazi thekson mendimin se në Shqipëri nuk janë të profilizuar fotografët, pasi projekti do kohë që të piqet të realizohet, pasi më shpesh ndodh që të bëhet foto-xhornalizëm, ka edhe qe të tjerë që e bëjnë me qejf këtë të parën. Por nuk mohon mundësinë tjetër duke thënë se: “Një projekt mund të nis edhe nga një foto-xhornalizëm, e merr e shikon dhe më vonë të kthehet, edhe artistë të arteve figurative kanë provuar kohët e fundit me fotografinë. Unë vet kam nevojë të merrem me foton artistike, dëshira ka qenë që të profilizohem me foton artistike”. E ndërkaq Habazi shprehet optimist për të ardhmen e fotos artistike, por çdo fotograf do kohën e vet për t’u pjekur profesionalisht. Vetë ai preferon interesohet për nudon, për më tepër me format që merren, dritat në studio, zakonisht bardhezi. Sipas tij, fotografia artistike qëndron mbi gjithçka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›