Serbia i shet armë Irakut

Beogradi nënshkroi një marrëveshje prej 235 milion $ për furnizimin me armë, municione e deri avionë, të Irakut
Serbia njoftoi dje se ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë prej 235 milion USD për të furnizuar Irakun me armë, pajisje ushtarake dhe avionë. Lajmin e pohoi vetë ministri serb i mbrojtjes Dragan Sutanovac, i cili tha se në këtë marrëveshje përfshihet dhe shitja e 20 avionëve të lehtë trajnues, pistoleta, pushkë, predha, municione, eksplozivë dhe veshje antiplumb. Avionët Lasta 95 janë një teknologji e re në fabrikën e prodhimit të avionëve Utva, që ndodhet jashtë Beogradit, dhe do të hyjnë në prodhim vetëm falë kësaj marrëveshje me Irakun. “Kjo është marrëveshja e shekullit për fabrikat serbe të armëve”-tha Shutanovac për të përditshmen Blic duke theksuar se bëhet fjalë për marrëveshjen më të madhe të industrisë ushtarake të Serbisë. “Serbia do ti eksportojë arme Irakut, pas një intervali prej shumë vitesh. Përveç armatimeve do të eksportojmë ehe 20 avionë të prodhuar në fabrikën Utva në Pançevo, duke stabilizuar në këtë mënyrë fabrikën dhe duke vazhduar kështu një traditë të gjatë”-vazhdoi ministri.
Shutanovac pohoi se prodhimi i përvitshëm i pistoletave në fabrikën tjetër Zastava do ti rezervohet ekskluzivisht kësaj marrëveshje me Irakun me një total prej 17 mijë copë, përfshirë këtu 300 copë të bëra me porosi për t’ia dhënë dhuratë presidentit, kryeministrit dhe zyrtarëve më të lartë irakian. “Kjo është porosia më e madhe që ka marrë ndonjëherë industria jonë e armatimeve. Është një stimulim i jashtëzakonshëm për industrinë tonë të mbrojtjes. Fabrikat tona kanë një perspektivë të shkëlqyer, dhe janë të gjitha të orientuara drejt eksportit duke futur kështu monedhën e huaj direkt e në Serbi”-tha Shutanovac.
Sipas tij, marrëveshja u nënshkrua me Ministrinë irakiane të Mbrojtjes, me aprovimin e aleancës ushtarake që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministri serb i mbrojtjes tha se pala irakiane ka bërë pagesën e parë për furnizimin me armatime, gjatë vizitës që bëri në Beograd vitin e kaluar homologu i tij irakian Abdul-Qadir al-Obeidi. Vizita e këtij të fundit shënoi të parën nga një zyrtar i lartë irakian në kryeqytetin serb, që pas rrëzimit të regjimeve të Sadam Hysejnit dhe Slobodan Millosheviçit të cilët kanë pasur marrëdhënie të ngushta mes tyre. Ishin pikërisht kompanitë jugosllave të ndërtimit që ndërtuan pjesën më të madhe të infrastrukturës irakiane, si baza ajrore dhe bunkerët e komandave ushtarake në vitet 1970-80.