“Fox News”: Trump: Do të preferoja një marrëveshje me Iranin, pa armë bërthamore

UASHINGTON, 11 shkurt /ATSH/- Mendoj se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje të re me Uashingtonin lidhur me programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një intervistë per “Fox News”, duke paralajmëruar gjithashtu për një prani të shtuar ushtarake amerikane në rajon.
“Siç e dini, kemi një flotilje të madhe që po shkon drejt Iranit tani. Do të shohim çfarë do të ndodhë.. Mendoj se ata duan të bëjnë një marrëveshje. Do të ishte një budallallëk nëse nuk do ta bënin. Ne shkatërruam aftësinë e tyre bërthamore herën e fundit dhe do të shohim nëse mund të sulmojmë sërish”, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Trump shtoi se Teherani po komunikonte drejtpërdrejt me të dhe se një marrëveshje do të ishte e mundur, por vetëm nëse do të ishte e favorshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Ata nuk do të flisnin me askënd tjetër, por po flasin me mua. Do të preferoja një marrëveshje të mirë, pa armë bërthamore, pa raketa, pa të gjitha këto pajisje. Por, disa individë janë të shqetësuar sepse kanë qenë shumë të pandershëm me ne gjatë viteve. Marrëveshja bërthamore e Iranit ishte një nga marrëveshjet më të këqija që kam parë ndonjëherë”, tha presidenti Trump.
Trump kritikoi sërish administratat e mëparshme të Barack Obama dhe Joe Biden, duke i akuzuar ata për “krijimin e një përbindëshi” me marrëveshjen bërthamore të Iranit.
Presidenti Trump, ka vazhduar ta kërcënojë Iranin me sulme të mundshme ushtarake nëse Teherani nuk i plotëson kërkesat e tij për çështje që variojnë nga pasurimi bërthamor deri te raketat balistike.
Këto deklarata vijnë ndërsa shefi i sigurisë së Iranit, Ali Larijani, takohet me sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq Al Said, për të diskutuar rezultatet e bisedimeve midis zyrtarëve amerikanë dhe iranianë javën e kaluar.
Javët e fundit, Trump ka përmendur një rritje të forcave ushtarake amerikane në rajon, duke dërguar një “armadë masive” në ujërat e afërta. Dislokimi përfshin edhe “USS Abraham Lincoln”, një aeroplanmbajtëse.
“Channel 12” dhe agjencia e lajmeve “Axios” raportuan dje se Trump po mendon gjithashtu të dërgojë një aeroplanmbajtëse të dytë në Lindjen e Mesme.
Ky grumbullim ushtarak ka nxitur frikën e një sulmi të afërt të SHBA-së kundër Iranit. Kritikët kanë frikë se një sulm i tillë mund të destabilizojë rajonin.
SHBA-ja lëshoi udhëzime për anijet tregtare me flamur amerikan, duke i paralajmëruar ato të qëndronin “sa më larg të ishte e mundur” nga ujërat territoriale iraniane. //a.i/