Fraholli: Naftëtari nuk mund të kënaqet me pak
Trajneri i kuçovarëve, Barjam Fraholli, pret më shumë nga ekipi i tij, edhe pse javët e fundit kanë qenë pozitive për të
Ekipi kuçovar ka një ecuri mjaft pozitive javët e fundit dhe tani, kur ka mbetur edhe një ndeshje nga faza e parë, mund të thuhet pa frikë se është pretendent për kreun në grupin e jugut. Fitorja me Tepelenën ishte rezultati i 4-t pozitiv radhazi. Kuçovarët ndoshta do të vuajnë atë fillim të dobët të kampionatit, ku lanë shumë pikë. Gjithsesi, ata kanë gjetur forca dhe gradualisht e kanë përmirësuar ndjeshëm lojën dhe rrjedhimisht rezultatet.
Naftëtari ka bindur me Tepelenën me lojë dhe rezultat, duke vërtetuar se bën pjesë në grupin e pretendentëve kryesorë. Në pjesën e dytë të ndeshjes së fundit pati një rënie apo vetëkënaqësi, fakt që e ka shqetësuar edhe stafin teknik. ”Kërkoj më shumë nga ekipi, – thekson trajneri Barjam Fraholli, – pavarësisht ecurisë së mirë të javëve të fundit. Fitorja me Tepelenën ishte shumë e rëndësishme, sepse u arrit ndaj një ekipi të fortë e pretendent.
Patëm fat dhe shënuam dy herë që në fillim. Jam i kënaqur me rezultatin, por jo plotësisht me lojën. Pjesa e parë ishte e bukur në të gjitha drejtimet, me ritëm dhe dëshirë, ndaj dhe shënuam dy herë, por nuk e bëmë këtë gjë në pjesën e dytë, kur ekipi pësoi një rënie në lojë. Ndoshta edhe avantazhi i dyfishtë ndikoi në këtë drejtim. Jam i bindur se mundësitë e Naftëtarit janë për më shumë se kaq.”
Domosdova Për ndeshjen e radhës me Domosdovën, që është e fundit e fazës së parë, trajneri Fraholli pohon se Naftëtari do të kërkojë patjetër rezultatin pozitiv: ”I jemi afruar shumë kreut të renditjes, ndaj do të kërkojmë pikë edhe me Domosdovën. Një rezultat tjetër pozitiv do të konfirmonte pretendimet tona.
Sigurisht që nuk është një ndeshje e lehtë, pasi përballë do të kemi një kundërshtar të fortë, sidomos në fushën e tij. Duhet ti bëjmë një mbyllje sa më të mirë fazës së pare, për të menduar më pas për gjysmën e dytë të kampionatit,” – përfundon Barjam Fraholli, trajneri i Naftëtarit.
