E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plaka: Ndeshja e fundit, një festë e madhe në Cërrik

Nga Artan Paja

Sekretari i klubit, Thoma Plaka, shpreh bindjen për fitore në sfidë me Bilisht Sportin rival 

Cërrikasit kanë mbetur të zhgënjyer nga fakti që komisioni i disiplinës nuk ka marrë parasysh aspak ankesën e tyre për ndeshjen me Partizanin. Megjithatë, sekretari i klubit, Thoma Plaka, shprehet se tashmë gjithçka është hedhur pas krahëve dhe skuadra po përgatitet shumë seriozisht për Bilisht Sportin, një tjetër rival i drejtpërdrejtë. Sipas tij, nuk do të jetë thjesht një ndeshje e kampionatit për spektatorin cërrikas, por një festë e vërtetë, që kërkon fitoren e Turbinës.

Futbolldashësit në Cërrik do të kujtojnë legjendën e futbollit cërrikas, Bekim Hoxhën, i ndarë nga jeta 18 vjet më parë. Krahas aktiviteteve kulturore dhe sportive, mësohet se pinjolli Alban Hoxha do të shkelmojë topin në kujtim të babait të tij. ”Është e kotë që sportdashësi cërrikas ti kthehet padrejtësisë në Selman Stërmasi, ku Turbina humbi 3 pikë të çmuara. Skuadra është e motivuar dhe e ka vlerësuar maksimalisht Bilisht Sportin, pasi ne kërkojmë vendin e dytë në grupin tonë.

Bashkia është duke organizuar një hapje të veçantë për nder të ish-portierit Bekim Hoxha. Tifozët cërrikas, por edhe gjithë qytetarët, do të kenë rastin të jenë pjesë e kësaj feste jubilare. Klubi do të shtrojë një koktej, ku i ftuari ynë i nderit do të jetë skuadra bilishtare, tha për Sportin shqiptar sekretari i klubit cërrikas, Thoma Plaka. Drejtuesit e Turbinës dhe futbollistët e saj janë të bindur për fitoren ndaj bilishtarëve.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›