Franc Ashiku, një titull për një krijimtari
“Impenjimi serioz në një zhanër të paeksploruar më parë dhe cilësia e punë së tij më ka shtyrë që të jem njëri prej kuratorëve të kësaj ekspozite”, - shprehet Zef Paci, i cili bashkë me një tjetër kurator, Edi Hila kanë çelur një ekspozitë të autorit Franc Ashiku në galerinë “Zeta”. “Një titull për një krijimtari”, e kanë cilësuar ekspozitën e autorit Franc Ashiku (1924-1998) në të cilën përfshihen vepra të realizuara në një hark kohorë rreth dyzetvjeçar. Në krijimtarinë e tij shfaqet interesimi mbi gjininë e pllakatit në një kontekst të caktuar urban. Sipas Pacit, Ashiku propozon me strukturat piktoriko-dinamike një tip të ri vizualizimi për një lexim të shumëfishtë të veprës dhe për një vjelje aktive të saj nga ana e spektatorit, edhe pse pritja e artit të kohë, apo edhe të publikut ishte popullore dhe jointelektuale. Gjatë viteve të diktaturës, puna e tij artistike ishte e fokusuar më tepër tek parullave që popullonin sheshet e festivaleve, stadiumeve, tarracat e fabrikave, uzina e pallateve të qytetit të Shkodrës, apo edhe ekspozita lokale të asaj kohe. Ndërkohë që për kuratorin Paci titulli i ekspozitës është menduar si i tillë për arsye se “nënkupton më tepër një homazh për një artist, i cili konsiderohej si pionieri i pllakatit, i cili ka hedhur hapat i pari në këtë gjini të palëvruar më parë. Ky artist e dinte se në atë kohë arti nuk mund të përcillte përmbajtjen e idealeve, por mund të ndihmonte në mprehjen e shijeve dhe zgjedhjeve estetike të qytetit”. Vepra e tij nuk ka kaluar pa u vënë re edhe gjatë kohës së regjimit soc-realist, ku ka hapur një ekspozitë kombëtare të arteve figurative mbi pllakatin për “100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit” në vitin 1978 dhe më vonë ka qenë pjesëmarrës në ekspozitën ndërkombëtare po të kësaj gjinie “Paqe botës”, në Berlin, në 1958, me veprën “Pllumbi i paqes”.