E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca: Pa vonesë të zbatohet marrëveshja Kosovë-Serbi

PARIS-Franca ka reaguar e para pas miratimit mbrëmë nga Kuvendi të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Parisi zyrtar përshëndet marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një deklarate Ministria e Punëve të Jashtme të Francës pasi e vlerëson si një marrëveshje historike, të lehtësuar nga Bashkimin Evropian, thekson se ajo është një kthesë dhe një hap i paparë në përmirësimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Ne përgëzojmë autoritetet serbe dhe kosovare, dhe në veçanti të dy Kryeministrat të cilët u angazhuan personalisht në një detyrë të vështirë, për përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre për të arritur një kompromis. Ne duam t''i sigurojmë se ata kanë bërë një vendim të guximshëm.

Kjo marrëveshje hedh themelet për një marrëdhënie të normalizuar, që do kontribuojë për stabilitetin dhe do mundësoj popujve të ecin drejt së ardhmes, zhvillimin e vendeve të tyre dhe perspektivën e tyre evropiane”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, të shpërndarë sot nga Ambasada franceze në Prishtinë.

Parisi zyrtar porosit që të sigurohet pa vonesë zbatimi i kësaj marrëveshjeje, ndërsa premton se Franca dhe Bashkimi Evropian do të japin të gjithë mbështetjen e tyre. Gjithashtu Franca përgëzon Ashtonin dhe ekipin e saj për angazhimin e tyre të vazhdueshëm që ka rezultuar në këtë marrëveshje.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›