E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca bën kaposhin në Gjermani

Skuadra e Lorent Blank dominon “pancerat” e Lëvit, zhgënjen Klose nga njëra anë dhe Riberi te “gjelat”

Zhiroud e Malouda zhvlerësojnë golin e Kakaut në fund.

Franca mundi Gjermaninë në miqësoren e mbrëmshme, falë golave të Olivier Zhiroud dhe Florent Malouda. Për gjermanët shënoi Kakau në minutën e fundit të takimit. Francezët kanë treguar edhe një herë superioritetit ndaj gjermanëve, duke u dhënë një leksion të vërtetë futbolli. Edhe pse vinin në këtë përballje (ndonëse miqësore, veçse e tillë nuk mund të quhej) aspak si favoritë, skuadra e drejtuar nga Lorent Blank arriti jo vetëm të dominojë, por edhe të siglojë një rezultat që vlen teorikisht vetëm për statistikë, por nga ana tjetër ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e kësaj Gjermanie plot talente në prag të Kampionatit Europian. Trajneri Joakim Lëv u mundua që si fillim të hidhte në fushë ata lojtarë që kishin qenë më në formë në javën e fundit duke lënë Gomezin në pankinë dhe duke i besuar më shumë eksperiencës së Kloses. Por ishte pikërisht ky i fundit që shpërdoroi në pjesën e parë të paktën dy raste të pastra për shënim. Nga ana tjetër, Blank i besoi sulmuesit të Montpeljer, Oliver Zhiroud, i cili tregoi edhe një herë se golat e shënuar në kampionatin francez nuk janë krejt të rastësishëm. Sulmuesi edhe pse nuk ka ndonjë eksperiencë me ekipin kombëtar, tregoi se mund t’i zërë vendim pa problem edhe Dxhibril Sisesë. Ishte pikërisht Zhiroud që shfrytëzoi më së miri një aksion të “gjelave” në minutën e 21-të, duke e kaluar në avantazh skuadrën franceze. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, ndërsa në të dytën që nga minuta e parë startuan zëvendësimet: Lëvi hodhi në fushë Gomezin për Klosen, ndërsa Blank la në dhomat e zhveshjes Riberinë për Menezin. Teksa pritej që në fraksionin e dytë të lojës të ishin vendësit më kërkues, sërish rastet më të pastra i kanë miqtë. Madje, në minutën e 69-të, i sapofuturi në lojë, Florent Malouda, dyfishoi shifrat duke shtangur tifozët vendës, të cilët prisnin prishjen e tersit 25-vjeçar pa fitore të Gjermanisë ndaj Francës. Nuk ndodhi kështu, pasi deri në minutën e fundit, kur Kakau vetëm sa shkurtoi diferencën, Gjermania u detyrua të pranonte verdiktin e fushës dhe t’i përulej për të disatën herë francezëve. Sakaq, tre muaj nga Kampionati Europain, Lëvi duhet të gjejë enigmat sidomos në linjën e mbrojtjes, reparti që funksionoi më pak në përballjen e djeshme.

Gjermani-Franc렠  1-2
Shënues:
Kakau 90′/ Zhiroud 21′, Malouda 69′
K.të verdhë: Boateng
Gjermania: Vajs, Boateng, Humels, Badstuber (Hovendes 46′), Aogo, Khedira, Kros (Bender 70′), Rojs (Kakau 70′), Ozil, Shyrrle (Myler 45′), Klose (Gomez 46′). Trajner: Joakim Lëv
Franca: Loris, Debushi, Mekses, Abidal, M´Vila (Malouda 62′), Kabaje (A.Diarra 62′), Valbuena (Amalfitano 68′), Nasri, Riberi (Menez 46′), Zhiroud (Saha 76′). Trajner: Lorant Blank

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›