Kosovë- Kushtetuesja u ndalon deputetëve vendimet pas afatit 30-ditor, vendos masë të përkohshme

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur, sipas detyrës zyrtare (ex officio), një masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, e cila do të jetë në fuqi nga e diela, 27 korrik, deri më 8 gusht 2025. Ky vendim i rëndësishëm, sipas saj, synon të mbrojë rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve kyçe të vendit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se çdo vendim apo veprim i ndërmarrë nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit pas datës 26 korrik 2025, deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës, lidhur me kërkesat e parashtruara, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve.
Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik, të cilat lidhen me themelimin e institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Për këtë arsye, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve pas 26 korrikut 2025 konsiderohet në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, si dhe thelbësor për ruajtjen e rendit kushtetues.
Detaje të vendimit
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë njëzëri më 24 korrik 2025, në rastet KO193/25 dhe KO196/25, të parashtruara nga deputetët Memli Krasniqi dhe 12 deputetë të tjerë, si dhe Hykmete Bajrami dhe 10 deputetë të tjerë. Kërkesat lidheshin me vendimet dhe veprimet e deputetëve pas përfundimit të afatit 30-ditor, të përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka vendosur:
- Të caktojë ex officio masën e përkohshme, e cila ndalon çdo vendim dhe veprim të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30-ditor.
- Të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik 2025 dhe do të zgjasë deri më 8 gusht 2025.
- T’ua kumtojë këtë Vendim palëve dhe ta publikojë në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit.
Ky vendim pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe institucionale në Kosovë, duke siguruar që proceset ligjore të respektohen plotësisht gjatë periudhës së themelimit të institucioneve paszgjedhore.
/rtsh.al/