E Hënë, 2 Nëntor 2026

Franca liron libanezin Georges Abdallah pas 40 vitesh burg

Gjykata e Apelit e Parisit ka urdhëruar lirimin e libanezit Georges Abdallah, i cili ka kaluar më shumë se katër dekada në burgjet franceze. Abdallah ishte dënuar në vitin 1987 për bashkëpunim në vrasjen e dy diplomatëve, një amerikan dhe një izraelit.

Lirimi i tij, pas një beteje të gjatë ligjore dhe politike, do të bëhet më 25 korrik. Vendimi është i kushtëzuar: ai duhet të largohet menjëherë nga territori francez dhe nuk mund të kthehet më kurrë.

Avokati i tij, Jean-Louis Chalanset, e quajti vendimin një “fitore ligjore dhe një skandal politik që nuk u zbulua më parë” për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara. Abdallah, ish-udhëheqës i një grupi të krishterësh libanezë marksistë pro-palestinezë, ishte kualifikuar për lirim me kusht që prej 25 vitesh, por dhjetë kërkesat e tij të mëparshme ishin refuzuar.

Libani është shprehur “jashtëzakonisht i kënaqur” me vendimin, duke theksuar se kthimi i tij në vend është pritur për një kohë të gjatë. Autoritetet libaneze po bashkërendojnë me palën franceze për kthimin e tij në Liban, ku ai është “i mirëpritur”. ANSA

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›