E Martë, 3 Nëntor 2026

Franca merr vendimin historik për ta njohur të drejtën e abortit me kushtetutë

Franca votoi të hënën (4 mars) për ta njohur me kushtetutë të drejtën e abortit, një votim historik që u mirëprit nga grupet për të drejtat e grave, por është kritikuar nga aktivistët antiabort.

E drejta për të kryer abortin pranohet gjerësisht në Francë dhe sondazhet tregojnë që rreth 80% e popullit francez e mbështesin faktin e abortit si një procedurë të ligjshme.

“Ne po u dërgojmë një mesazh të gjitha grave: trupi juaj ju takon juve dhe askush nuk mund të vendosë për ju,” deklaroi kryeministri Gabriel Atal (o. Attal) para deputetëve dhe senatorëve në Pallatin e Versajës.

Grave franceze u është njohur aborti si një e drejtë me ligj që nga viti 1974, ndërsa një vendim i Gjykatës së Lartë në SHBA në vitin 2022 për të ndryshuar ligjin e ngjashëm “Roe vs. Wade” bëri që aktivistët në vend të lobojnë që Franca të bëhej vendi i parë që e mbron abortin në ligjin e saj themelor.

Votimi i së hënës parashikon që në nenin 34 të kushtetutës franceze “ligji përcakton kushtet në të cilat një grua ka lirinë e garantuar për të kryer një abort”.

Kryetarja e së djathtës ekstreme, Marinë Lë Pen (o. Marine Le), duke e mbështetur vendimin, tha se presidenti Emanuel Makron (o. Emmanuel Macron) po e përdor ndryshimin e fundit për pikë politike.

“Ne do të votojmë për ta përfshirë në Kushtetutë, sepse nuk kemi asnjë problem me këtë, por nuk është një hap historik, sepse askush nuk e ka vënë në mëdyshje të drejtën e abortit në Francë,” tha znj. Lë Pen. /AFP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›