Vdekja e opozitarit rus në burg, 43 vende kërkojnë hetim ndërkombëtar për Navalnin

Bashkimi Evropian dhe 16 vende vende të tjera bënë thirrje të hënën (4 mars) që Rusia të lejojë një hetim të pavarur ndërkombëtar për vdekjen e papritur të liderit të opozitës ruse Aleksei Navalni (o. Alexei Navalny).
Thirrja erdhi nga ambasadorja e BE-së në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Lote Knudsen, në emër të 27 shteteve anëtare dhe 16 vendeve të tjera, përfshirë Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën.
“Jemi të indinjuar nga vdekja e politikanit të opozitës ruse, Aleksei Navalni, për të cilin përgjegjësia përfundimtare bie mbi presidentin [Vladimir] Putin dhe autoritetet ruse,” tha znj. Knudsen.
“Rusia duhet patjetër të lejojë hetim të pavarur dhe transparent ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes së tij të papritur,” shtoi ajo.
47-vjeçari Navalni, kritiku i ashpër i presidentit Putin brenda Rusisë, ndërroi jetë më 16 shkurt në një koloni penale në Arktik, ndërsa mbështetësit e tij thanë se ai ishte vrarë.
Kremlini ka mohuar çdo përfshirje të shtetit rus në vdekjen e Navalnit, i cili të premten u përcoll për në banesën e fundit në Moskë.
Komiteti Hetues i Rusisë thotë se ka nisur hetimin për vdekjen e Navalnit, ndërsa Kremlini ka thënë se nuk i përgjigjet kërkesave të Bashkimit Evropian.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/