E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca për normalizim të përhershëm mes Kosovës dhe Serbisë

Ministri francez i çështjeve evropiane Bernar Kaznev ka deklaruar se nuk është me rëndësi forma juridike e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por me rëndësi është që qytetarët ta ndiejnë prosperitetin dhe stabilitetin.

“Franca mbështet përafrimin e Serbisë me BE-në. Në këtë kuptim, kemi mbështetur vitin e kaluar dhënien e statusit kandidat për anëtarësimin e Serbisë”, tha Kaznev duke shtuar se “tani nevojitet që Serbia të vazhdojë vendosmërisht të përmirësojë raportet me Kosovën dhe të realizojë një përparim të prekshëm në reformat e brendshme, sidomos në sundimin e ligjit”, ka thënë ministri francez në një intervistë për gazetën “V.novosti”.

Sa i përket normalizimit të kërkuar në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, Kaznev ka thënë se pikëpamja e Francës plotësisht i bashkohet pikëpamjes që mbisundon në nivelin evropian.
“Normalizimi kuptohet si përmirësim i përhehershëm, i dukshëm dhe i prekshëm i marrëdhënieve të dyja vendeve”, tha ai.

“Beogradi dhe Prishtina duhet patjetër së pari të arrijnë marrëveshjet për të gjjtha çështjet që i kontribuojnë stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të qytetarëve të tyre, siç janë liria e lëvizjes, çështja energjetike, telekomunikacioni, integrimi i pakicave, duke respektuar të drejtat e tyre”, ka thënë Kaznev.

Sipas tij, të dyja vendet duhet të zhvillojnë “bashkëpunim të ndërsjellë”, sidomos në kontekstin rajonal.

Se a nënkupton kjo edhe njohjen e ndërsjellë, Kaznev tha se “thelbësore për qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës, është stabiliteti, prosperiteti dhe bashkëjetesa, e jo forma juridike që do të ketë normalizimi i marrëdhënieve ndëmjet dy vendeve. Tekefundit, BE-ja nuk është shprehur për këtë çështje, por “insiston në aspektet konkrete të përmirësimit të marrëdhënieve të dy vendeve tuaja”, theksoi ai./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›