E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyra Administrative në veri ka lehtësuar jetën e qytetarëve

Megjithëse ende nuk është bërë një vit prej fillimit të punës së Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, zyrtarët e saj thonë se deri me tani aty janë ofruar shërbime të shumta për qytetarë. Megjithatë qytetarët kanë vërejtje.
Zyra Administrative në Veri të Mitrovicës është themeluar në maj të vitit të kaluar, mirëpo është bërë funksionale në korrik, prej kur edhe ka filluar të ofroj shërbime për qytetarë.

Gjatë kësaj kohe për qytetarët që jetojnë në veri, përveç shërbimeve administrative janë realizuar edhe projekte të vogla të infrastrukturës. Shefja e kësaj zyreje, Adrijana Hoxhiq, thotë se pas fillimit të punës janë krijuar lehtësia për qytetarët e asaj pjese.

”Qëllimi i hapjes së kësaj zyreje nga Qeveria e Kosovës ka qenë që të ofrohen të gjitha shërbimet për qytetarët e veriut, edhe pse nuk është komunë teknikisht. ZAK ka 7 drejtori të ndryshme, ku punojnë 52 persona, prej të cilëve 81 për qind jetojnë në veri të qytetit. Deri me tani janë lëshuar 1054 certifikata të gjendjes civile, 523 pasaporta dhe letërnjoftime, 489 regjistrime të automjeteve dhe 164 dokumente të urbanizmit”.

Megjithatë qytetarët shqiptarë nuk janë edhe aq të kënaqur me punën e kësaj zyreje. Florent Azemi, përfaqësues i banorëve të Lagjes së Boshnjakëve, thotë se nuk është vërejtur puna e Zyrës në veri.

”Deri më tash puna e administratës nuk është parë në asnjë pore. Kjo është e vërteta kjo është realiteti, pos ndonjë ndihme ushqimore që janë shpërndarë në forma simbolike tjerat janë të dështume”.

Përveç të tjerash, problemi kryesor i funksionimit të Zyrës në veri mbetet çështja e sigurisë, meqë shumë herë punëtorët e kësaj zyreje kanë qenë cak i sulmeve atje./rtk/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›