E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca zë i fuqishëm për njohje dhe integrime evropiane të Kosovës

Nga Express më 31 maj 2011 në ora 19:55

Republika e Francës do të mbështesë fuqishëm forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe do të jetë një zë i fuqishëm i Republikës së Kosovës, në rrugën e saj integruese në Bashkimin Evropian.

Këtë qëndrim të shtetit francez e ka rikonfirmuar Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Republikës së Francës , Alain Juppé, gjatë takimit që ka zhvilluar në Paris me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Në takim është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme, Alain Juppé siguroi Ministrin Hoxhaj se Franca edhe më tutje do të mbështes dhe promovojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës në botë.

“Ne edhe më herët kemi mbështetur Kosovën për sigurimin e njohjeve dhe këtë do të bëjmë edhe në të ardhmen”, ka theksuar Juppé.

Në takim, po ashtu, është biseduar edhe për kultivimin e marrëdhënieve strategjike mes Francës dhe Republikës së Kosovës, si dhe mundësinë e investimeve të kompanive franceze në Kosovë.

Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar Ministrin francez Juppé për ndihmën që shteti i tij i ka dhënë Kosovës, para dhe pas pavarësisë.

Ai ka kërkuar ndihmën e Francës për procesin e liberalizimit të vizave, të Integrimeve Evropiane, për lidhjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në si dhe për përmbylljen e procesit të njohjeve.

Me këtë rast, Ministri Juppé ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Franca do të jetë një zë i fuqishëm i Kosovës në rrugën e saj për në Bashkimin Evropian.

Gjatë qëndrimit në Paris, Ministri Hoxhaj do të takojë edhe ambasadorë të shteteve të huaja të akredituar në Republikën e Francës.

Ndërsa, të mërkurën, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, do të marrë pjesë në një takim të Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Nacionale të Francës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›