E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic, përsëri në shtëpi

Nga Express më 31 maj 2011 në ora 09:48

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, nuk do të merr pjesë më 2 qershor në Romë në festimin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë, pasi që nikoqirët, siç ka deklaruar Tadiq për agjencinë e lajmeve ANSA, në atë ngjarje kanë ftuar edhe presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në të njëjtën kohë, Tadiq ka deklaruar se vendimi i tij nuk do të ndikojë në mbajtjen e samitit italiano-serb në Beograd në fund të qershorit.

“Jam thellësisht i dëshpëruar pasi që nuk do të jem në gjendje të marr pjesë më 2 qershor në kremtimin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë, pasi që në atë ngjarje është e ftuar edhe presidentja e të ashtuquajturit shtet të Kosovës”, ka thënë Tadiq.

“Unë duhet dhe dua t’i mbroj interesat legjitime të Serbisë, dhe siç duket, institucionet italiane i kanë dhënë përparësi pjesëmarrjes së përfaqësueses së Kosovës në këtë ngjarje”, ka shtuar Tadiq.

Presidenti serb, Boris Tadiq, nuk ishte i pranishëm as gjatë samitit të 17-të të presidentëve të vendeve të Evropës Qendrore, që u mbajt në Varshavë të Polonisë më 27 dhe 28 maj, për të njëjtën arsye, se në samit ishte e ftuar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. (Zeri)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›