E Shtunë, 31 Tetor 2026

France- Presidenca i shpëton vjedhjes 2-milionëshe

Një bandë mashtruesish, e shtirur si funksionare e Shërbimeve Financiare franceze, pasi kishte siguruar llogarinë bankare të Presidencës në Paris, tentoi të marrë prej saj 2 milionë euro. Plani dështoi pas dyshimit të nëpunësit bankar. Lajmin e konfirmoi Pallati Elize, pas publikimit të tij në një revistë satirike franceze. Sipas Kristian Fremont, drejtor i Kabinetit të Presidentit Sarkozi, banda e organizuar ka arritur të gjejë numrin e llogarisë bankare të Presidencës si dhe grafikën e shërbimit të saj financiar, por operacioni i tyre nuk pati sukses deri në fund. Dy javë më parë, një prej mashtruesve kishte marrë në telefon bankën e Elizesë, duke u prezantuar si shefi i Shërbimeve Financiare. Ai kishte kërkuar që ti bëhej një derdhje prej 2 milionë eurosh në një llogari të hapur në Kinë. Duke dyshuar për këtë kërkesë të pazakontë, nëpunësi i bankës i telefonoi Presidencës, nga e cila mësoi se bëhej fjalë për mashtrim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›