Kosovë, përfundoi regjistrimi i popullsisë
Në Kosovë ka përfunduar regjistrimi i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare edhe në 6 komuna ku kishte pasur vonesa. Regjistrimi i nisur më 1 prill duhej të përfundonte më 15 prill, por në komunën e Prishtinës, Deçanit, Parteshit, Kllokotit, Ferizajit, dhe të Graçanicës pati vonesa. Rezultatet e para të këtij procesi pritet të përfundojnë në muajin qershor, por tani për tani përflitet se në Kosovë jetojnë më pak se 2 milionë banorë. Enti i Statistikave të Kosovës e vlerëson regjistrimin të mbarë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e ka konsideruar këtë proces si dështim teknik dhe politik. Edhe AAK-ja ka deklaruar se janë bërë shkelje në regjistrimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.