E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë, Marine le Pen padit këngëtaren Madonna

PARIS - Liderja e Frontit Kombëtar në Francë, Marine le Pen deklaron se do të hedhë në gjyq mbretëreshën e popit, Madonna, pas koncertit të zhvilluar të shtunën në Paris, ku këngëtarja shfaqi një video që përmbante pamje të Le Pen me kryqin e thyer në ballë.

Videoja ishte paraqitur edhe në koncertet e tjera në kuadër të turneut të Madonës, dhe Fronti Kombëtar pati paralajmëruar se do të padiste këngëtaren nëse videoja do të shfaqej edhe në Francë.

Por pavarësisht paralajmërimeve, Madonna e shfaqi videon pikërisht në koncertin e zhvilluar këtë të shtunë kur Franca shënoi festën kombëtare.

“Nuk mund të pranojmë një krahasim kaq të urryer”-ka deklaruar zv/kryetari i Frontit Kombëtar, duke shtuar se padia do të paraqitet këtë javë.

Videoja në fjalë, që shërben si sfond për interpretimin e këngës "Nobody Knows Me", shfaq një fotografi të Le Pen me kryqin e thyer të vendosur mbi ballë dhe menjëherë më pas shfaqet një imazh i liderit nazist Adolf Hitler.

Marine Le Pen, që e mori kontrollin e partisë nga babai i saj, Zhan-Mari, është përpjekur ta zhveshë imazhin e Frontit Kombëtar si raciste dhe anti-semite, e veçanërisht gjatë kandidaturës së saj për presidente e Francës.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›