E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH publikon formularin A2 por jo udhëzuesin

Tiranë- Formulari A2 është publikuar sot nga Ministria e Arsimit për të gjithë maturantët që kanë vendosur të aplikojnë për studime universitare, por ndërkohë që nuk është akoma gati udhëzuesin i plotësimit.

Që nga data tre korrik ato do të kenë në dorë këtë formular, më anë të të cilit do të përzgjedhin degët që janë të preferuarat e tyre për të vazhduar studimet.

Gjithashtu, MASH bën me dije se afati i fundit i plotësimit të tij do të jetë data 5 gusht. Pas kësaj date, asnjë maturant nuk do të ketë të drejtën të plotësojë formularin, duke humbur në këtë mënyrë edhe mundësinë për të kandiduar në universitet.

Formulari përbëhetë nga dy pjesë: Pjesa përpara ka të renditura të gjitha degët, të shpërndara sipas universiteteve në gjithë vendin, ndërkohë që pjesa mbrapa formularit përmban mundësinë e korrigjimit të pasaktësive apo gabimeve që mund të ketë bërë maturanti gjatë plotësimit të tij. Në total janë 303 degë, të ndara sipas universiteteve, mes të cilave nxënësit do të zgjedhin degët e tyre të preferuara për të vazhduar studimet.

Edhe këtë vit, të interesuarit do të kenë mundësi të zgjedhin deri në dhjetë degë, ndërkohë që përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas sistemit meritë-preferencë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka sqaruar se ende nuk është gati udhëzuesi, i cili do të orientojë maturantët për mënyrën e plotësimit korrekt të tij. Kjo, pasi mësohet se plotësimi i sivjetshëm do të ketë ndryshime nga ai i vitit të kaluar.

/IDEA/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›